Arif Vladi dhe Shkrute Fejza do të interpretojnë të shtunën në Marshin për Liri

September 10, 2026


Të shtunën, më 12 shtator, do të mbahet Marshi madhështor i platformës “Liria ka Emër”, i cili këtë herë vjen me një program të veçantë dhe pritet të mbledhë një numër të madh qytetarësh.

Marshi do të zhvillohet vetëm katër ditë para shpalljes së aktgjykimit për katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë, duke i dhënë organizimit një rëndësi të veçantë për organizatorët dhe pjesëmarrësit.

Organizatorët Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha kanë bërë të ditur se programi i së shtunës do të pasurohet edhe me performanca muzikore nga dy prej emrave të njohur të muzikës patriotike shqiptare, Arif Vladi dhe Shkurte Fejza.

Arif Vladi, i cili njihet si një prej interpretuesve më të spikatur të këngëve kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës për liri, do të jetë pjesë e programit të marshit.

Në anën tjetër, Shkurte Fejza prej vitesh është e lidhur me këngët për luftën, lirinë dhe patriotizmin shqiptar, ndërsa pjesëmarrja e saj pritet t’i japë një tjetër dimension programit të organizuar për këtë marsh.

Organizatorët kanë paralajmëruar një program të veçantë për pjesëmarrësit, ndërsa Marshi “Liria ka Emër” pritet të jetë një prej organizimeve më të mëdha dhe më spektakolare të kësaj platforme deri më tani.

Përmes këtij marshi, platforma “Liria ka Emër” synon të përcjellë edhe një herë mesazhin e saj në mbështetje të vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe figurave që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Marshi i 12 shtatorit pritet të shoqërohet me një atmosferë të veçantë, ndërsa performancat e Arif Vladit dhe Shkurte Fejzës do të jenë pjesë qendrore e programit të së shtunës. /Telegraf



Source link