Ka nisur në gjykatë seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj këngëtarit Jozefin Marku dhe shoferit të tij, Kristjan Nikolli, të arrestuar pas ngjarjes së dhunshme ku u përfshi Eduard Kuçi.
Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të dy, ndërsa gjykata pritet të shqyrtojë rrethanat e ngjarjes dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Paralelisht me seancën, hetimet për rastin vijojnë. Një nga elementët që po verifikohet nga organi i akuzës lidhet me përdorimin e simboleve të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, është kërkuar kryerja e një akt-ekspertimi për të përcaktuar dëmtimet që Eduard Kuçi mund të ketë pësuar si pasojë e sulmit.
Vetë Kuçi është shpallur në kërkim policor për akuzën e moskallëzimit të krimit. Sipas hetimeve, ai nuk e kishte denoncuar fillimisht ngjarjen në polici, por e kishte paraqitur si një konflikt të zakonshëm të nisur pas bllokimit të rrugës me automjet.
Pas verifikimeve të kryera nga policia, rasti është trajtuar si ngjarje penale, ndërsa ndaj Kuçit është ngritur akuza për moskallëzim krimi.
Fakti që Kuçi nuk ka bërë kallëzim për ngjarjen pritet të jetë një nga argumentet që do të përdorë mbrojtja e Jozefin Markut gjatë procesit.
Në përfundim të seancës, gjykata do të vendosë masën e sigurisë për Jozefin Markun dhe Kristjan Nikollin.