Ndryshimet në “Fiks Fare” tashmë janë zyrtare. Olta Gixhari dhe Dorian Ramaliu do të jenë dy prezantuesit e rinj të emisionit investigativ të Top Channel në sezonin e ri televiziv.
Për Oltën, e cila ishte një prej personazheve më të komentuar të edicionit të dytë të “Big Brother VIP Albania”, ky është një rikthim në ekranin e Top Channel, këtë herë në një rol të ri si moderatore e një prej programeve më jetëgjata të televizionit shqiptar.
Në krah të saj do të jetë Dorian Ramaliu, ndërsa dyshja merr përsipër drejtimin e “Fiks Fare” në një sezon që do të sjellë disa ndryshime në program.
Pak më herët ishte prezantuar edhe identiteti i ri vizual i emisionit, me një logo tërësisht të ridizenjuar dhe sloganin “I njëjti Fiks / Tjetër kënd”, duke paralajmëruar kështu një fazë të re për formatin.
Ndryshimet vijnë pas largimit të Filip Çakulit, emri i të cilit ka qenë i lidhur me drejtimin dhe autorësinë e “Fiks Fare” për shumë vite. Me sezonin e ri, programi do të vazhdojë me ekip dhe imazh të rinovuar, ndërsa fokusi investigativ dhe denoncimet e problematikave të qytetarëve do të mbeten në qendër.
Me konfirmimin e Olta Gixharit dhe Dorian Ramaliut merr fund edhe pikëpyetja se kush do të shfaqet në ekran në drejtimin e “Fiks Fare”. Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të sjellë dyshja e re në sezonin e parë të tyre në këtë format.