E shantazhonte një grua se do t’i publikonte materiale denigruese – publikohet emri i të arrestuarit

August 13, 2026


Një person është arrestuar në Prizren, nën dyshimin se për më shumë se një vit ka shantazhuar një grua duke e kërcënuar me publikimin e materialeve që, sipas tij, do t’ia cenonin nderin dhe autoritetin.

Sipas raportimeve Sinjalit, i arrestuari është Skender Qengaj, i cili dyshohet se përmes kërcënimeve ka përfituar deri në 50 mijë euro nga viktima.

Qengaj është arrestuar në flagrancë pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe përmes aplikimit të masave të veçanta hetimore.

Sipas Prokurorisë, nga qershori i vitit 2025 deri më 13 gusht 2026, i dyshuari, përmes rrjeteve sociale dhe komunikimeve në WhatsApp, dyshohet se e ka kërcënuar të dëmtuarën me publikimin dhe dërgimin te familjarët e saj të materialeve që do t’ia cenonin nderin dhe autoritetin.

Në këmbim të mospublikimit të tyre, Qengaj dyshohet se ka kërkuar para, duke arritur të përfitojë deri në 50 mijë euro.

Sipas hetimeve, një pjesë të parave e dëmtuara dyshohet se i kishte siguruar edhe përmes shitjes së arit të marrë nga nëna dhe familjarët e saj, me qëllim që t’i përmbushte kërkesat e të dyshuarit.

Prokuroria ka bërë të ditur se i dyshuari kishte vazhduar edhe me komunikime të padëshiruara dhe kërcënuese, duke i shkaktuar viktimës frikë dhe shqetësim të madh emocional për veten dhe familjen e saj.

Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 21 mijë e 100 euro, një veturë dhe dy telefona celularë.

Qengaj është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprat penale “Shantazhi” dhe “Ngacmimi”.

Prokuroria ka bërë të ditur se, brenda afatit ligjor, do të vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës së sigurisë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.




Source link