Ekipi mjekësor i shpëton jetën një fëmije pasi ra në ujë

July 31, 2026


Një fëmijë është shpëtuar falë reagimit të shpejtë të ekipit mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, pasi kishte rënë në ujë në një nga restorantet e qytetit.

Sipas njoftimit të spitalit, fëmija është dërguar në repartin e Emergjencës në gjendje të rënduar shëndetësore nga ekipi i Urgjencës së Qytetit.

Menjëherë pas pranimit në Emergjencë, stafi mjekësor ka ndërmarrë masat reanimuese. Në ndërhyrje kanë marrë pjesë Dr. Mirjeta Binakaj Gërxhaliu, specialiste e mjekësisë emergjente, si dhe ekipi i anestezionit i udhëhequr nga Dr. Veton Pllana.

Po ashtu, në trajtimin e fëmijës janë angazhuar edhe infermierët Gjyljeta Hajdari, Saranda Rexha, Luljeta Sadiku, si dhe tekniku i anestezionit, Musa Kurti.

Pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore, spitali bëri të ditur se fëmija është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i shoqëruar nga mjeku emergjent dhe infermierët, për trajtim të mëtejshëm, me parametra shëndetësorë më të qëndrueshëm.




Source link