Nata do të bëhet ditë! Miratohet pasqyra gjigantë që do të vendoset në hapësirë
1
Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka dhënë miratimin për një projekt pilot që synon vendosjen në hapësirë të një pasqyre gjigante, e cila do të reflektojë dritën e Diellit drejt sipërfaqes së Tokës. Projekti, i zhvilluar nga kompania private Reflect Orbital, synon të krijojë një rrjet satelitësh që do të mund të ndriçojnë zona të caktuara edhe gjatë natës, por ideja ka ngritur shqetësime të shumta mes shkencëtarëve.
Komisioni Federal i Komunikimeve ka autorizuar lëshimin e një sateliti demonstrues, i cili pritet të vendoset në orbitë para fundit të këtij viti. Ky satelit do të mbajë një pasqyrë të aftë të ndriçojë një sipërfaqe prej rreth 5 kilometrash katrorë duke reflektuar rrezet e Diellit.
Objektivi afatgjatë i kompanisë është shumë më ambicioz. Deri në vitin 2035, Reflect Orbital planifikon të vendosë në orbitë mbi 50 mijë satelitë të vegjël, të cilët do të ofrojnë ndriçim sipas kërkesës për bujqësinë, industrinë, prodhimin e energjisë diellore, si edhe për situata emergjente.
Sipas kompanisë, shërbimi do të kushtojë rreth 5 mijë dollarë në orë për çdo pasqyrë dhe do të jetë në gjendje të krijojë një brez drite me gjerësi 5 deri në 6 kilometra. Intensiteti i ndriçimit mund të variojë nga ai i dritës së Hënës së plotë deri në nivelin e një Dielli mesdite.
Megjithatë, projekti ka hasur në kundërshtime të forta nga astronomët dhe organizatat shkencore. Ata paralajmërojnë se vendosja e një numri kaq të madh satelitësh do të rrisë ndotjen e dritës dhe atë hapësinore, duke dëmtuar vëzhgimet astronomike dhe ekosistemet natyrore.
Sipas katër shoqatave shkencore, një rrjet i tillë do të ndryshonte ndjeshëm mjedisin natyror të qiellit gjatë natës, ndërsa drita artificiale mund të ndikojë në ciklet biologjike të njerëzve dhe kafshëve.
Shqetësimet lidhen edhe me vështirësitë që do të krijoheshin për teleskopët tokësorë. Së fundmi, Observatori Evropian Jugor paralajmëroi se satelitët e rinj mund të jenë shumë më të ndritshëm se objektet qiellore të zakonshme, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë vëzhgimin e universit nga sipërfaqja e Tokës.
Pavarësisht kritikave, autoritetet amerikane kanë vendosur t’i japin dritën jeshile fazës së parë të projektit, duke argumentuar se legjislacioni aktual nuk i konsideron këto shqetësime mjedisore si pengesë për zhvillimin e aktiviteteve në hapësirë.