Mbrojtësit e viktimave trajtuan 52 raste gjatë javës së fundit, shumica për dhunë në familje

July 10, 2026


Gjatë periudhës 3-10 korrik, mbrojtësit e viktimave në nivel të Kosovës, në kuadër të Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, kanë trajtuar gjithsej 52 raste të reja të kategorive të ndryshme të dhunës dhe veprave penale.
Sipas të dhënave të kësaj zyre, numri më i madh i rasteve ka të bëjë me dhunën në familje, me gjithsej 44 raste të evidentuara. Përveç tyre, janë trajtuar edhe raste të tjera, përfshirë një rast të dhunimit, një rast të sulmit seksual, një rast të shkeljes së urdhrit mbrojtës, një rast të vrasjes, një rast të kanosjes, dy raste të krimeve të luftës dhe një rast të shkeljes së detyrimeve familjare, transmeton Klankosova.tv.

Gjatë kësaj periudhe, mbrojtësit e viktimave kanë paraqitur në gjykata shtatë kërkesa për urdhër mbrojtje dhe 11 kërkesa për urdhër mbrojtje emergjente. Po ashtu, janë parashtruar edhe dy kërkesa për vazhdimin e urdhrit mbrojtës dhe dy kërkesa për ndërprerjen e tij.

Nga procedurat e zhvilluara, janë aprovuar nëntë aktvendime, ndërsa dy kërkesa janë refuzuar. Viktimat kanë paraqitur edhe dy kërkesa për kompensim nga Fondi për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe janë regjistruar katër deklarata të pëlqimit të viktimës për ndihmë dhe katër ankesa.

Në kuadër të mbështetjes juridike dhe përfaqësimit institucional, gjatë javës janë zhvilluar 67 seanca gjyqësore, tetë seanca në prokurori dhe janë dhënë 51 këshilla juridike për viktimat.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë nxjerrë 10 aktgjykime dënuese dhe një aktgjykim lirues. Për mbështetje të mëtejshme sociale, janë bërë dy referime të rasteve në Qendrat për Punë Sociale (QPS) dhe është realizuar 1një përfaqësim i rastit në QPS.




Source link