a po kthehen protestat në një revolucion permanent?

July 9, 2026


Historia tregon se revolucionet që nuk institucionalizohen, konsumohen. “Flamingot” kanë fituar betejën morale; tani duhet të fitojnë betejën për pushtetin politik…

Protesta, e nisur furishëm për të kundërshtuar projektin e Zvërnecit dhe Sazanit, ka hyrë sot në ditën e 40-të të saj.

Kjo lëvizje ka nxjerrë në sipërfaqe zhvillime të rëndësishme për shoqërinë shqiptare.

Ajo ka artikuluar një opinion publik që kërkon, mbi të gjitha, një republikë të drejtë.

Një Shqipëri pa një “mbret me atlete të bardha”.

Një shtet të drejtë, pa kriminelë dhe pa institucione që i mbrojnë ata.

Një ekonomi më të ndershme, ku pabarazia të zvogëlohet sa më shumë, sipas modelit të shtetit social të vendeve skandinave, të Europës Perëndimore apo edhe të vendeve si Sllovenia.

Nuk ka asnjë dyshim se revolta që kjo protestë ka sjellë në jetën politike shqiptare është përfaqësuese.

Madje, në shumë aspekte, ajo përfaqëson shumicën dërrmuese të shqiptarëve.

Por problemi në këtë fazë, është tjetër.

Ashtu si një fëmijë pas 40 ditëve të para të lindjes, edhe kjo lëvizje duhet të mendojë tani si të rritet sa më shëndetshëm dhe sa më e sigurt.

Personazhet që deri tani kanë lexuar kërkesat drejtuar Edi Ramës kanë paraqitur pesë pika, ku kërkohet largimi i kryeministrit, krijimi i një qeverie teknike dhe një reformë kushtetuese, ndër të tjera.

Ndërkohë, Edi Rama është duke përgatitur atë që e quan një “përgjigje reflektuese” ndaj protestës.

Sipas burimeve, përveç një riformatimi të kabinetit dhe një vale shkarkimesh në administratën e lartë, ai pritet të shpallë edhe ndryshime në mënyrën e dhënies së kontratave publike, tenderëve dhe lejeve të ndërtimit për kulla, hotele dhe projekte të tjera të mëdha.

Po ashtu, pritet të propozojë një sistem konsultimi publik online për këto procese.

Natyrisht, nëse këto masa realizohen, ato përbëjnë një sukses të protestës.

Dhe çdo qytetar që ka qenë pjesë e saj ka të drejtë ta konsiderojë këtë një arritje.

Por pyetja kryesore mbetet:

Çfarë ndodh më pas?

Zgjidhja që mund të ofrojë Edi Rama nuk ka gjasa të pranohet nga protesta.

Dhe kjo është krejt normale.

Sepse ajo është një zgjidhje që i shërben kryesisht pushtetit të tij.

Ndërsa protesta kërkon një zgjidhje që u shërben qytetarëve që e mbështesin.

Rruga më e natyrshme është institucionalizimi i saj në një lëvizje politike klasike.

Një lëvizje që të zgjedhë me procedura transparente drejtuesit e saj.

Që më pas të bashkojë dhe të shkrijë të gjithë faktorët opozitarë në një front të madh politik përballë mazhorancës.

Një model i ngjashëm me atë që ndërtoi Peter Magyar në Hungari.

Mundësia është reale.

Zgjedhjet vendore janë vitin e ardhshëm.

Nëse kjo lëvizje fiton Tiranën dhe qytetet kryesore, atëherë rruga drejt zgjedhjeve të përgjithshme bëhet shumë më e lehtë.

Por deri tani duket se situata është ndryshe.

Protesta, që mbështetet kryesisht nga dy faktorë; Gjermania dhe Albin Kurti nuk po tregon vullnet për të ndërtuar një lidership politik konkurrues.

Në Hungari ndodhi e kundërta.

Alternativa që sfidoi Viktor Orbán kishte mbështetjen e gjerë të Perëndimit dhe zgjedhjet u shndërruan në një referendum mes Bashkimit Europian dhe modelit pro-rus.

Hungarezët zgjodhën Europën.

Në Shqipëri, të paktën deri tani, duket se po preferohet një protestë e përhershme.

Një revolucion permanent.

Një valvul presioni ndaj Edi Ramës.

Kjo strategji mund ta dobësojë kryeministrin.

Por njëkohësisht mund t’i japë edhe një kartë mbijetese politike.

Ashtu siç ka ndodhur me Sali Berishën, i cili në momente të caktuara është konsideruar aleat taktik nga aktorë të ndryshëm politikë.

Pikërisht kjo, ka penguar lindjen e një alternative të re, qartësisht perëndimore dhe proeuropiane.

Duke krijuar hapësira për rryma që vijnë nga Lindja dhe që mbështeten financiarisht e politikisht nga Turqia.

Një problem që Edi Rama e menaxhon shumë më lehtë, duke negociuar drejtpërdrejt me Ankaranë.

Madje, siç thotë metafora, duke i çuar “valixhen”.

Por kjo nuk është zgjidhja për republikën europiane dhe të drejtë që kanë kërkuar shqiptarët prej 40 ditësh në shesh./Pamfleti

 




Source link