Në QKUK hiqet me sukses tumori i rrallë te një foshnjë njëjavëshe

July 3, 2026


Një foshnjë vetëm njëjavëshe i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi ishte diagnostikuar me një tumor të rrallë në zonën e gojës dhe fytit, i cili rrezikonte seriozisht frymëmarrjen dhe ushqyerjen.

Sipas QKUK-së, kjo patologji paraqitet në rreth një rast në 35 mijë deri në 200 mijë lindje të gjalla dhe, nëse nuk sigurohen me kohë rrugët e frymëmarrjes, mund të ketë pasoja fatale, përcjell Gazeta Shneta.

Pas diagnostikimit të hershëm, ekipi i Klinikës së Neonatologjisë siguroi në mënyrë emergjente frymëmarrjen e foshnjës. Më pas u kryen ekzaminimet radiologjike dhe vlerësimi nga ekipet përkatëse, për të planifikuar ndërhyrjen kirurgjikale.

Sipas QKUK – së, menaxhimi u realizua nga ekipi i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale, në bashkëpunim të ngushtë me ekipet e Neonatologjisë, Anesteziologjisë, Radiologjisë dhe Institutit të Patologjisë.

Ndërkaq, operacioni u realizua nga ekipi mjekësor i Klinikës së Kirurgjisë Maksillofaciale, nën udhëheqjen e dr. Alban Olluri, me mbështetjen e ekipit të anesteziologëve të udhëhequr nga dr. Agreta Gashi Gecaj.
Sipas njoftimit, tumori u hoq plotësisht, duke ruajtur strukturat anatomike përreth dhe pa komplikime gjatë ndërhyrjes.

Gjendja e foshnjës pas operacionit është e qëndrueshme. Ajo merr frymë spontanisht, ushqehet normalisht dhe vazhdon të jetë nën kujdesin e ekipeve mjekësore.




Source link