Alarmi nga salmonela në Evropë – Mbi 100 të infektuar nga nudllës, dhjetëra në spital

July 3, 2026


Një shpërthim i salmonelës i lidhur me nudlat instant me shije ka prekur të paktën 106 persona në 14 shtete evropiane, njoftuan Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA) dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Sipas autoriteteve, shumica e të infektuarve janë fëmijë dhe të rinj, ndërsa 49 persona kanë përfunduar në spital për shkak të komplikimeve nga infeksioni.

Rastet janë regjistruar në Austri, Britani të Madhe, Çeki, Danimarkë, Estoni, Francë, Gjermani, Hungari, Letoni, Lituani, Holandë, Norvegji, Poloni dhe Suedi.

Hetimet epidemiologjike kanë treguar se infeksionet në Danimarkë, Estoni, Gjermani, Letoni dhe Lituani lidhen me konsumimin e nudlave me shije të së njëjtës markë. Autoritetet nuk e kanë bërë publik emrin e markës, por kanë konfirmuar se rastet me bakterin Salmonella Stanley janë lidhur me një prodhues në Ukrainë.

Ndërkohë, kompania Reeva Foods ka bërë të ditur se ka tërhequr nga tregu një seri të nudlave të saj të shpërndara në vendet baltike, pasi u dyshua për praninë e bakterit Salmonella Stanley. Kompania njoftoi se ka nisur hetime të brendshme, ka kryer analiza laboratorike shtesë dhe po bashkëpunon me autoritetet për zbardhjen e rastit.

Autoritetet evropiane vlerësojnë se masat për tërheqjen dhe rikthimin e produkteve nga tregu do të ulin ndjeshëm rrezikun e rasteve të reja.

Salmoneloza është një infeksion bakterial që zakonisht shkakton diarre, temperaturë, dhimbje barku, të përziera dhe të vjella. Edhe pse shumica e pacientëve shërohen brenda pak ditësh, infeksioni mund të jetë më i rëndë te fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat me sistem imunitar të dobësuar.




Source link