Nis ndërtimi i burgut të ri në Kukës, qeveria investon 6.4 milionë euro
1
Qeveria ka nisur ndërtimin e një institucioni të ri të ekzekutimit të vendimeve penale në Kukës, një investim prej 6.4 milionë eurosh që synon modernizimin e sistemit penitenciar, rritjen e standardeve të sigurisë dhe krijimin e 140 vendeve të reja të punës.
Burgu i ri do të ketë kapacitet për 150 persona të privuar nga liria dhe pritet të lehtësojë edhe akomodimin e shtetasve të Kosovës që vuajnë dënimin në Shqipëri.
Punimet u inauguruan nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili e cilësoi projektin si pjesë të rëndësishme të reformës në drejtësi, duke theksuar se procesi nuk përfundon me vendimin e gjykatës.
“Reforma në drejtësi nuk përfundon te vendimi i gjykatës, por është jashtëzakonisht e rëndësishme mënyra se si trajtojmë të dënuarit dhe si zbatojmë vendimet penale në institucionet tona. Besoj se sot në Kukës po hedhim një hap të rëndësishëm në këtë drejtim”, deklaroi Gogu.
Sipas tij, objekti i ri do të ndërtohet në territorin e ish-batalioneve ushtarake dhe do të krijojë kushte më moderne për sistemin e vuajtjes së dënimit. “Një tjetër përfitim”, tha ministri, është afrimi pranë familjeve i rreth 40 shtetasve të Kosovës që aktualisht vuajnë dënimin në Shqipëri.
“Rreth 40 shtetas të Kosovës që vuajnë dënimin në Shqipëri do të afrohen shumë më pranë familjeve të tyre”, u shpreh ai.
Përveç ndikimit në sistemin penitenciar, investimi pritet të ketë edhe efekt ekonomik për zonën, pasi projekti parashikon hapjen e rreth 140 vendeve të reja të punës për komunitetin lokal.
Ministri theksoi se siguria mbetet prioriteti kryesor i institucioneve të vuajtjes së dënimit, por ajo duhet të ecë paralelisht me respektimin e të drejtave të njeriut.
“Synimi ynë ka qenë që sistemi të jetë i sigurt dhe është i tillë. Kemi shtuar inspektimet dhe kontrollet për të garantuar zbatimin e ligjit. Sistemet e burgjeve duhet të jenë të sigurta, por njëkohësisht duhet të baraspeshojnë edhe respektimin e të drejtave të njeriut. Ky është angazhimi ynë deri në ditën e fundit të ushtrimit të detyrës”, deklaroi Gogu.
Institucioni i ri penitenciar konsiderohet një nga investimet më të mëdha të viteve të fundit në infrastrukturën e burgjeve dhe synon të përmirësojë standardet e ekzekutimit të vendimeve penale në vend.