Vrasja e trefishtë në Gllogjan, Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit
1
Prokuroria ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm ndaj të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në vitin 2021 në Gllogjan të Deçanit.
Të akuzuar për këtë rast janë Halil Mehmetaj, Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj.
“Pas administrimit të gjithë kësaj prove, pas rrëzimit të çdo alibie dhe pas ballafaqimit të të akuzuarve me vërtetën shkencore, nuk ka mbetur asnjë dyshim. Prokuroria kërkon që të pandehurit Halil Mehmetaj, Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj të shpallen fajtorë dhe të dënohen me dënimin maksimal të paraparë me ligj. Kjo nuk është vetëm kërkesë e Prokurorisë; kjo është kërkesa e vetme për të rivendosur besimin te ligji dhe për t’u dhënë sadopak paqe shpirtrave të viktimave”, u tha nga ana e prokurorisë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, ngarkohen se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë. Pra, të vdekur mbetën shoferi i autobusit G.Gj, si dhe nxënësit L.H (17 vjeçar) dhe G.M (17 vjeçare).
Në aktakuzë thuhet se, pasi që paraprakisht ata kishin studiuar terrenin me kujdes, duke u siguruar se nuk ka mbulueshmëri të kamerave dhe shtëpi në afërsi dhe duke e ditur kohën e saktë të arritjes së autobusit “Erblini”, nga Gjakova në drejtimin e Gllogjanit në turnin e fundit, të cilin e drejtonte tani i ndjeri G., me nxënës dhe pasagjerë në të.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Kastriot merr pushkën automatike AK-47, prodhim shqiptar të kalibrit 7.62x39mm dhe niset në këmbë deri tek vendi i ngjarjes, në krahun e djathtë të rrugës dhe me të vërejtur dritat e autobusit në fjalë, del në mes të rrugës i kthyer më shpinë kah autobusi që po arrinte dhe me qëllim që të njëjtin ta detyrojë të ulë shpejtësinë apo ndaloj, bënë sikur është i dehur dhe kur shoferi fillimisht e sinjalizon me drita të gjata e pastaj edhe ulë shpejtësinë i pandehuri Kastriot në distancë prej rreth 6 metrash kthehet në drejtimin e autobusit dhe merr shënjestër shoferin e autobusit tani të ndjerin G.Gj. dhe e godet për vdekje, po ashtu godet për vdekje dhe L.H 17 vjeçar, dhe G.M 17 vjeçare, si dhe i shkakton lëndime të rënda trupore F.T.
Me tej në aktakuzë thuhet se, kjo vrasje kishte ardhur si hakmarrje për shkak të vetëvrasjes së H.M. e cila kishte ndodhur me datën 14 qershor 2020, për të cilin akt familja Mehmetaj e kanë fajësuar tani të ndjerin G.Gj./Reporteri/