A po largohet Arbana? Përfaqësuesja e patentës ndërkombëtare të Ferma VIP bën deklaratën e fortë
Teksa në rrjet po qarkullojnë aludime se Arbana Osmani mund të ketë mbyllur rrugëtimin e saj me “Ferma VIP”, pas mungesës në “Post Ferma VIP” dhe në festën e organizuar pas finales, nga vetë formati ka ardhur një vlerësim i rëndësishëm në nivel ndërkombëtar.
Në finalen e madhe të “Ferma VIP 3” ishte e pranishme edhe Andrea Gavacova, përfaqësuese e “Fremantle Media” për Europën Qendrore dhe Lindore, kompania që zotëron patentën ndërkombëtare të formatit.
Gjatë fjalës së saj, Gavacova u shpreh mjaft e impresionuar nga mënyra se si është realizuar “Ferma VIP” në Shqipëri, duke deklaruar se formati jo vetëm që respekton standardet ndërkombëtare, por në shumë aspekte arrin edhe t’i tejkalojë ato.
“Jam shumë e lumtur që ndodhemi sot këtu për finalen e Fermës. Mendoj se ky format jo vetëm që i përmbush të gjitha standardet, por i tejkalon ato në mënyrën më pozitive të mundshme”, u shpreh ajo.
Sipas Gavacovës, investimi i bërë në spektakël, përzgjedhja e personazheve, transmetimi 24 orë i jetës në fermë, si dhe realizimi i prime-ve me teknologji moderne dhe efekte speciale, e kanë kthyer versionin shqiptar në një nga më të spikaturit.
Ajo e renditi “Ferma VIP” mes formateve më të suksesshme që menaxhon kompania, duke e krahasuar me emra të njohur ndërkombëtarë.
“Ky është vërtet një nga formatet më të njohura, së bashku me ‘Got Talent’ dhe disa të tjerë. Prandaj, për mua, ky është standardi i artë”, deklaroi Gavacova.
Përfaqësuesja e “Fremantle” vlerësoi gjithashtu ndikimin e madh që programi ka pasur në rrjetet sociale dhe platformat digjitale, duke theksuar se forca e markës “Ferma VIP” në Shqipëri është lehtësisht e dallueshme edhe nga mbajtësit e patentës.
Ndërkohë, mbetet ende e paqartë nëse Arbana Osmani do të jetë pjesë e një sezoni të ardhshëm të formatit, por një gjë duket e sigurt: pavarësisht zërave që qarkullojnë, “Ferma VIP” ka marrë një nga vlerësimet më të mëdha që mund të merrte nga vetë përfaqësuesit e patentës ndërkombëtare.