SHBA do ta godas shumë ashpër sot Iranin

June 10, 2026


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA “do të sulmojë shumë ashpër” Iran, duke rritur ndjeshëm tensionet mes dy vendeve.

Gjatë një prononcimi në Zyrën Ovale, Trump u pyet nga gazetarët për deklaratën e tij të mëparshme se Irani “do të duhet të paguajë çmimin”.

Në përgjigje, ai u shpreh se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime ushtarake.

“Ne do t’i sulmojmë ata, do t’i sulmojmë shumë ashpër”, tha 79-vjeçari, raporton skynews.

I pyetur nëse kjo nënkupton rifillimin e bombardimeve, ai shtoi se “po, bazuar në helikopterin, mendoj se kemi të drejtë ta bëjmë këtë”.

“Ne i goditëm fort dje dhe do t’i godasim sërish fort sot – në rast se e keni humbur, në rast se nuk e keni ndezur televizorin”, tha Trump.

Ai kujtoi gjithashtu se më herët kishte thënë se do të ishte “e marrë” të njoftoheshin sulmet para se të kryheshin.

Duke folur për negociatat, presidenti amerikan u shpreh se Irani duhet të nënshkruajë një marrëveshje të re, duke theksuar se ajo do të ndalonte përfundimisht zhvillimin e armëve bërthamore.

“Duhet ta nënshkruajnë marrëveshjen. Është një marrëveshje e mirë”, tha ai, duke shtuar se ajo parashikon që Iran të mos ketë kurrë armë bërthamore.

“Unë nuk e di se çfarë po bëjnë”, shtoi presidenti amerikan, duke lënë të hapura pyetjet mbi qëndrimin e Teheranit në bisedimet aktuale.

Deklaratat vijnë pas akuzave të ngritura nga Trump se Irani ka përdorur një dron për të rrëzuar një helikopter ushtarak Boeing AH-64 Apache pranë brigjeve të Oman.

Ngjarja e raportuar ka shtuar tensionet në një situatë tashmë të brishtë në rajon, ndërsa autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar ende versionin e paraqitur nga Uashingtoni.

Zhvillimet pritet të ndikojnë më tej në armëpushimin e arritur javë më parë mes SHBA–së dhe Iranit dhe në situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme. /Telegrafi/






Source link