Tërhoqi zvarrë protestuesin, Mateo Borri reagon ashpër ndaj Geraldo Binës

May 31, 2026


Një situatë e tensionuar ka shoqëruar protestën e pretenduesve të pronës në zonën e Zvërnecit, ku po parashikohet ndërtimi i një resorti turistik nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”.

Përmes pamjeve filmike të shpërndara në rrjetet sociale, është raportuar për përplasje fizike mes protestuesve dhe personave civilë pa uniformë zyrtare. Sipas burimeve për JOQ Albania, personi që ka dhunuar dhe tërhequr zvarrë një protestues që i kishte rënë të fiket është identifikuar si Geraldo Bina.

Ngjarja ka nxitur edhe reagimin e personazhit të njohur, Mateo Borri. Ai ka publikuar pamjet e këtij momenti në llogarinë e tij, duke shkruar:
“Turp! Turp! Turp!”

Pas incidentit, Policia e Vlorës doli me një njoftim zyrtar ku deklaronte se një protestues me inicialet E.S. ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe ishte shoqëruar nga punonjësit e sigurisë private, gjatë së cilës kishte pësuar dëmtime trupore.

Megjithatë, ky version u përgënjeshtrua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila kërkoi ndjesë publike duke sqaruar se qytetari nuk kishte hyrë me forcë në kantier:

“Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast”

Si pasojë e këtij informacioni të pasaktë, Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, është pezulluar menjëherë nga detyra.

Lidhur me konfliktin e pronësisë, Policia e Shtetit ka deklaruar se territori i rrethuar rezulton pronë private me dokumentacion të rregullt ligjor dhe se çdo mosmarrëveshje duhet të ndiqet përmes rrugëve gjyqësore.



Source link