Prishtina hap Bibliotekën e Fëmijëve në Pallatin e Rinisë, hapësirë e re për lexim dhe kreativitet
1
Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë është inauguruar zyrtarisht “Biblioteka e Fëmijëve”, një hapësirë e re dedikuar edukimit, leximit dhe zhvillimit kulturor të fëmijëve të kryeqytetit.
Në ceremoninë e hapjes, kryetari i Prishtinës Përparim Rama e cilësoi bibliotekën si një projekt me rëndësi të veçantë për gjeneratat e reja, duke thënë se ajo përfaqëson dashuri, dinjitet dhe shpresë për të ardhmen e qytetit.
Rama tregoi se ideja për krijimin e bibliotekës lindi nga përvojat personale të familjes së tij me bibliotekat për fëmijë gjatë jetës në Londër, duke theksuar rëndësinë që leximi ka në zhvillimin dhe zgjerimin e horizonteve të fëmijëve.
“Fëmijët tanë janë më të rëndësishmit për këtë qytet dhe me ta po i bëjmë realitet ëndrrat tona”, tha ai gjatë fjalimit.
Në ngjarje mori pjesë edhe ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, i cili tha se biblioteka nuk është vetëm një investim fizik, por një investim në të ardhmen e Kosovës dhe në zhvillimin intelektual e social të fëmijëve.
Sipas tij, biblioteka do të shërbejë si një hapësirë e sigurt dhe frymëzuese ku fëmijët mund të zhvillojnë kreativitetin, imagjinatën dhe vetëbesimin e tyre.
Biblioteka do të funksionojë si pjesë e rrjetit të bibliotekave të qytetit të Prishtinës dhe do të jetë e hapur për të gjithë fëmijët, të cilët do të mund të huazojnë libra, të lexojnë dhe të marrin pjesë në aktivitete e punëtori të ndryshme edukative.