Gati 1.2 miliardë njerëz në mbarë botën jetojnë me çrregullime mendore
3
Rreth 1.2 miliard njerëz në mbarë botën jetonin me çrregullime mendore në vitin 2023, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore The Lancet. Studiuesit zbuluan se numri i rasteve është rritur me 95.5 për qind krahasuar me vitin 1990.
Rritjet më të mëdha janë regjistruar te ankthi dhe depresioni, të cilat rezultuan edhe çrregullimet më të zakonshme mendore në vitin 2023.
Studimi ka analizuar 12 çrregullime mendore në 204 shtete dhe territore, duke përfshirë depresionin, ankthin, çrregullimin bipolar, skizofreninë, autizmin, ADHD-në, anoreksinë dhe buliminë.
Autori kryesor i studimit, Damian Santomauro nga Universiteti i Queensland në Australi, ka thënë se ishte i tronditur nga shifrat.
“Sinqerisht, u shokova nga përmasat e problemit”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se ka shumë faktorë që po ndikojnë në rritjen e problemeve të shëndetit mendor dhe se zgjidhja kërkon “udhëheqje kolektive globale”, shkruan CNN.
Sipas studimit, rastet e ankthit janë rritur me 158 për qind që nga viti 1990, ndërsa depresioni është rritur me 131 për qind.
Edhe pse anoreksia, bulimia dhe skizofrenia ishin më pak të zakonshme krahasuar me çrregullimet e tjera, studiuesit vlerësojnë se në vitin 2023 kishte rreth 4 milionë raste anoreksie, 14 milionë raste bulimie dhe 26 milionë raste skizofrenie.
Studimi ka zbuluar gjithashtu se shumica e çrregullimeve mendore ishin më të zakonshme te gratë, ndërsa autizmi, ADHD-ja dhe disa çrregullime të sjelljes u shfaqën më shpesh te burrat.
Ekspertët thanë se pandemia e COVID-19 pati ndikim të madh në shëndetin mendor global.
Para pandemisë, rastet e ankthit dhe depresionit kishin filluar tashmë të rriteshin, por gjatë dhe pas krizës shëndetësore depresioni u rrit edhe më shumë dhe ende nuk është kthyer në nivelet para pandemisë. Ankthi gjithashtu mbeti në nivele të larta deri në vitin 2023.
Paul Bolton nga shkolla e shëndetit publik “Johns Hopkins Bloomberg” ka thënë se, edhe pse raportimi i problemeve mendore nuk është gjithmonë i saktë, këto janë “vlerësimet më të mira që kemi aktualisht”.
Një nga gjetjet më shqetësuese ishte fakti se problemet mendore po prekin gjithnjë e më shumë të rinjtë.
Për herë të parë në historinë e studimit global, grupmosha 15 deri në 19 vjeç rezultoi më e prekura.
“Kemi parë gjithmonë kulmin e këtyre problemeve në moshën e mesme, por tani ai është zhvendosur tek adoleshentët”, ka thënë Santomauro.
Ekspertët paralajmëruan se kjo periudhë është shumë e rëndësishme për zhvillimin e trurit dhe aftësive sociale, ndaj problemet mendore në këtë moshë mund të kenë pasoja afatgjata.
Robert Trestman nga shkolla e mjekësisë “Virginia Tech Carilion” ka thënë se disa faktorë kanë ndikuar pozitivisht për rritjen e raportimit të rasteve.
“Stigma ndaj sëmundjeve mendore është ulur ndjeshëm dhe njerëzit ndihen më rehat të kërkojnë ndihmë”, ka thënë ai.
Megjithatë, ekspertët theksuan se rritja e numrit të njerëzve me çrregullime mendore lidhet edhe me faktorë të shumtë stresues si pasiguria ekonomike, traumat, luftërat dhe konfliktet politike, mungesa e kujdesit shëndetësor, dhuna në familje, diskriminimi, izolimi social, pasiguria ushqimore, problemet me imazhin e trupit dhe kërcënimet mjedisore.
Studiuesit paralajmëruan se shërbimet për shëndetin mendor nuk janë zgjeruar në të njëjtën masë me rritjen e rasteve.
“Përgjigjja ndaj nevojave të shëndetit mendor të popullsisë globale, sidomos për grupet më të cenueshme, është detyrim dhe jo zgjedhje”, shkruan autorët e studimit.
Ekspertët këshillojnë personat që po përballen me probleme mendore të kërkojnë ndihmë profesionale dhe të flasin me specialistë për terapi, trajtime apo forma të tjera mbështetjeje.
Ata theksojnë gjithashtu rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm, aktivitetit fizik, gjumit cilësor, lidhjeve sociale, hobive si dhe balancës mes jetës dhe punës.