Shqipëria, ende rekord për martesa, por po hyn në dhjetëshen e Evropës me më shumë divorce
3
Shqipëria ka normën më të lartë të martesave në Evropë. Sipas Eurostat, në vitin 2024 u regjistruan 6,8 martesa për 1 mijë banorë, e njëjta normë si në vitin 2022, shumë më e lartë se mesatarja evropiane prej 3.9.
Në vend të dytë është Maqedonia e Veriut, por të dhënat e fundit nga ky shtet i përkasin vitit 2021. Në rajon, niveli më i ulët i martesave është në Serbi, me 4.6 martesa për 1000 banorë.
Pas Shqipërisë, normat më të larta bruto të martesave janë regjistruar në Turqi, me 6,6, dhe Moldavi, me 6,1.
Në Shqipëri, norma e martesave ka qenë relativisht e lartë në vitet 1980-1990, duke arritur kulmin në vitin 1990, me 8,9 martesa për 1 000 banorë. Pas kësaj periudhe, vihet re një rënie graduale.
Nga ana tjetër, divorcet në Shqipëri janë bërë më të zakonshme krahasuar me të kaluarën. Në vitin 2024, norma ishte 2,0 divorce për 1 000 banorë, ndërsa në vitin 1964 ishte vetëm 0,6, çka përfaqëson një rritje prej rreth 233%.
Kulmi u arrit në vitin 2019, me 2,1 divorce për 1 000 banorë. Norma e divorceve është mbi mesataren evropiane, që rezultoi 1.6 në 2024-n.
Shqipëria u rendit e 11-a për numrin e lartë të divorceve në raport me popullsinë në 2024-n. Duke përjashtuar vendet baltike, që kryesojnë për divorcet në raport me popullsinë, me treguesin për 1000 banorë nga 4 në Moldavi dhe 2.5 në Lituani e 2.1 në Estoni, Shqipëria renditet e pesta në Evropë, pas Danimarkës (2.1), Turqisë (2.2), Finlandës (2.1) e Suedisë (2.1).
Vendet baltike kanë norma të larta divorcesh kryesisht sepse divorci është më i pranueshëm shoqërisht, më i lehtë ligjërisht dhe gratë kanë më shumë pavarësi ekonomike.
Në Shqipëri, shifrat më të fundit të INSTAT tregojnë se numri i martesave ka rënë në nivelin më të ulët historik, ndërsa divorcet kanë marrë drejtim të kundërt, duke arritur kulme që nuk janë parë kurrë më parë. Viti 2024 shënon minimumin historik me vetëm 16 120 martesa, nga rreth 29 mijë në 1990-n.
Në të kundër divorcet janë rritur. Në 2024-n kishte gjithsej 4800 divorce, nga rreth 2700 në 1990-n. praktikisht në vend një e treta e martesave nuk arrin të zgjasë “derisa vdekja ti ndajë”./Monitor