Do të vendosim në kohën e duhur
2
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media ka folur për anëtarin e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ende nuk është zgjedhur.
Ajo tha se do të veprojnë në kohën kur e shohin të arsyeshme dhe se kjo nuk ndikon në proces zgjedhor.
“Siç jeni në dijeni, përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është prej 11 anëtarësh. Pra, këtu përfshihet edhe kryesuesi që vjen nga radhët e Gjykatës Supreme. Për momentin janë 10 anëtarë, sepse edhe një nuk është emëruar ende. Unë jam e interesuar nëse kjo përbën problem për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pra, dëgjova që thanë se do të kontestohet procesi zgjedhor e kështu me radhë për shkak të një anëtari. Por unë ju kam njoftuar se i kam dy kërkesa: edhe kërkesën e PDK-së, edhe kërkesën e Vetëvendosjes për të emëruar anëtarët e tyre, përkatësisht anëtarin e fundit në këtë komision.
Unë për këtë çështje kam pasur mendime edhe më herët. Fuqia politike, proporcionaliteti dhe përfaqësimi janë parime që nuk duhet t’i mohojë askush. Duke qenë se kanë kaluar tashmë të gjitha afatet sepse mendoj që një proces kushtetues i nisur nga Presidentja Osmani-Sadriu është dashur të përmbyllet nga vetë zonja Osmani-Sadriu, por kjo nuk ka ndodhur dhe tani të gjitha afatet kanë kaluar, kjo çështje është në trajtim dhe do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë. Por të jeni të sigurt se me 10 anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve asgjë nuk rrezikohet: as certifikimi i partive, as certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve dhe asgjë tjetër. Prandaj do të veprojmë atëherë kur e konsiderojmë se duhet të veprojmë“, tha Haxhiu.