VV gati për seancën e presidentit në çdo kohë

April 27, 2026


Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie janë të gatshëm që të marrin pjesë në çdo kohë në seancën për zgjedhjen e presidentit.

Ajo theksoi se Kuvendi duhet të jetë vendi ku zhvillohen debatet dhe merren vendimet e rëndësishme, duke shtuar se janë bërë përpjekje për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Për ne besoj që Kuvendi është vendi ku duhet edhe të bëhen debatet, por edhe të merren vendimet e rëndësishme. Përtej kësaj, sikurse jemi njerëz të gjithë, e keni përcjellë besoj dhe e dini tashmë, Lëvizja Vetëvendosje si subjekt fitues i zgjedhjeve ka bërë disa hapa dhe ka paraqitur disa propozime në mënyrë që të shmangen edhe një palë zgjedhje të reja, të cilat janë të panevojshme e nuk janë të duhura për qytetarët, e aq më pak pritet që të sjellin ndonjë rezultat të ri”, tha ajo.

Nagavci bëri të ditur se pas takimeve të vazhdueshme me partitë e tjera, janë ofruar edhe mundësi konkrete për arritjen e një marrëveshjeje për kandidat konsensual, por sipas saj, nuk ka pasur përgjigje konkrete.

“E dini se pas takimeve të vazhdueshme, të njëpasnjëshme që kemi pasur Kryeministri Kurti me kryetarët e dy partive të tjera politike, ka pasë edhe veprimet e radhës, të cilat ofruan sikur një mundësi që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, dy subjektet i dyti dhe i treti, të ofrojnë tri propozime, dhe kjo për faktin që me këto tri propozime ne do të kishim një mundësi që të tërheqim dy kandidaturat tona, atë të zëvendëskryeministrit Konjufca dhe deputetes Mulhaxha-Kollçaku, dhe të vazhdojmë me tri propozime të tjera për kandidatë të cilët do të ishin unifikues, kandidatë me integritet që besoj se ka të tillë në mesin tonë. Por, nuk kemi parë asgjë konkrete. Unë si shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nuk kam pranuar asnjë nënshkrim, ndonëse ne kemi qenë të gatshëm që të shtojmë nënshkrimet tona, plotësimin e kushtit të domosdoshëm që të jenë së paku 30 nënshkrime për secilin prej kandidatëve”, tha ajo.






Source link