Një dekadë pa Monën, Adelina e Zanfina prekin me kujtimin për të
1
Sot shënohet një dekadë që nga ndarja nga jeta e Mona Ismailit, nënës së këngëtareve të njohura shqiptare, Adelina dhe Zanfina Ismaili. Për të kujtuar këtë ditë të dhimbshme, të dyja motrat kanë zgjedhur rrjetet sociale për të ndarë fjalë prekëse dhe për të shprehur mallin që nuk zbehet me kalimin e viteve.
Zanfina përmes vargjeve ka shprehur dhimbjen e thellë. Ajo ka ndarë një imazh me një trëndafil të bardhë, shoqëruar me fjalët: “Dhjetë vjet kanë kalu, si një jetë… E n’zemrën tem heshtja e ditës së parë. Prej ditës kur shkove zemra e kohës është ndal. Malli për ty është si lutje n’zemrën tem që nuk nalet kurr. 10 vjet pa ty, Mami. Mona M.I.”
Nga ana tjetër, Adelina ka kujtuar nënën e saj përmes një fotografie të vjetër të Monës, duke e shoqëruar me një mesazh të shkurtër por shumë të ndjerë. “10 vite pa ty mami. Dhimbja nuk pushon kurrë. Pusho e qetë, të dua pafund,” ka shkruar diva e muzikës shqiptare në InstaStory.
Mona Ismaili ka qenë një figurë shumë e rëndësishme jo vetëm në jetën personale të Adelinës, Zanfinës dhe motrës së tyre Emës, por edhe një mbështetëse dhe menaxhere e palodhur e karrierës së tyre ndër vite. Edhe pse kanë kaluar 10 vite nga humbja e saj, postimet e motrave dëshmojnë se kujtimi dhe dashuria për të mbeten po aq të gjalla sa në ditën e parë.
