Kuvendi miraton marrëveshjen për programin IPA 2020

April 24, 2026


Me 93 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, është votuar projektligji për ratifikimin e amendamentit nr. 2 të marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2020.

Kryeministri i Kosovës prezantoi projektligjin dhe shpjegoi arsyet e ndryshimeve në marrëveshje.

“Qëllimi i amendamentimit të kësaj marrëveshjeje është zgjatja e afatit kohor për kontraktimin e projekteve edhe për tre vjet shtesë. Kjo kohë është e nevojshme, pasi nga vonesat një nga projektet ka mbetur pa u kontraktuar. Afati kontraktual i projekteve të IPA 2020 ka qenë tre vjet nga hyrja në fuqi e marrëveshjes financiare origjinale, të nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përkatësisht, më 3 shtator 2024. Projekti i ndikuar nga ky amendament është projekti i ngrohjes qendrore të Prishtinës, me vlerë prej 17.6 milionë euro, të cilat ofrohen si grant nga fondet IPA”, tha ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ngriti shqetësime lidhur me nivelin e shpenzimit të mjeteve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës besoj që duhet të gjejë mënyrën se si ta rregullojë shpenzimin më të shpejtë të këtyre mjeteve. Nëse i referohemi raporteve, del që shpenzimi nga ky financim është në nivele mjaft të ulëta. I kuptoj kompleksitetin e procedurave, por megjithatë ne duhet të ndërtojmë kapacitete shtesë, të reja, qofshin ato brenda kryeministrisë apo Ministrisë së Financave. Aktualisht, siç është dhe siç ka qenë, gjithmonë ka pasur vështirësi në shfrytëzimin e këtyre mjeteve. Dhe për ta përfunduar, realisht po, këto kanë qenë mjete të ndikuara nga masat e Bashkimit Evropian, mirëpo shtrohet edhe pyetja: a kemi pasur faj pse janë këto masa dhe pse i humbëm dy vjet? Përndryshe, Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës e mbështet këtë marrëveshje dhe sigurisht se do t’i mbështesë edhe marrëveshjet e tjera që kërkojnë dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sepse janë në interes dhe dobi të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha Hamza.

Shefja e Grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, konfirmoi mbështetjen e subjektit të saj për marrëveshjen.

“Normalisht që LDK-ja ka mbështetur të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë në interes të qytetarëve, posaçërisht këto që janë asistencë për projektet zhvillimore dhe komunale në Kosovë”, tha ajo.

Deputetja Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjithashtu shprehu mbështetjen e partisë së saj.

“Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ashtu siç është deklaruar prej fillimit, do t’i përkrahë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. Normalisht që edhe në komisionin parlamentar e kemi përkrahur këtë marrëveshje dhe do ta përkrahim edhe sot“, tha ajo.






Source link