Emaili i Pentagonit flet për pezullimin e Spanjës nga NATO e për hapa të tjerë shkaku i përçarjes për Iranin
1
Megjithatë, zyrtari nuk pranoi të thoshte nëse opsionet përfshinin një tërheqje të pritur të madhe të disa forcave amerikane nga Europa.
I pyetur për koment mbi emailin, sekretari i Shtypit i Pentagonit, Kingsley Wilson, u përgjigj: “Siç ka thënë presidenti Trump, pavarësisht gjithçkaje që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për aleatët tanë të NATO-s, ata nuk ishin aty për ne.
“Departamenti i Luftës do të sigurojë që presidenti të ketë mundësi të besueshme për të siguruar që aleatët tanë të mos jenë më një tigër letre dhe në vend të kësaj të bëjnë pjesën e tyre. Nuk kemi komente të mëtejshme mbi ndonjë diskutim të brendshëm në këtë drejtim”, ka deklaruar Wilson.
Lufta SHBA-Izrael me Iranin ka ngritur dilema serioze lidhur me të ardhmen e bllokut 76-vjeçar dhe ka provokuar shqetësim të paparë se SHBA-ja mund të mos ndihmojë aleatët europianë nëse sulmohen, thonë analistët dhe diplomatët.
Britania, Franca dhe të tjerë thonë se bashkimi me bllokadën detare të SHBA-së do të përbënte hyrje në luftë, por se ata do të ishin të gatshëm të ndihmonin mbajtjen hapur të Ngushticës sapo të ketë armëpushim të qëndrueshëm ose konflikti të mbarojë.
Por zyrtarët e administratës Trump kanë theksuar se NATO-ja nuk mund të jetë rrugë me një kahje.
Ata kanë shprehur zhgënjim me Spanjën, ku udhëheqja socialiste ka deklaruar se nuk do të lejonte që bazat ose hapësira e saj ajrore të përdoren për të sulmuar Iranin. Shtetet e Bashkuara kanë dy baza të rëndësishme ushtarake në Spanjë: Stacionin Detar Rota dhe Baza Ajrore Moron.
Opsionet e politikave të përshkruara në email do të kishin për qëllim të dërgonin një sinjal të fortë për aleatët e NATO-s me qëllimin e “uljes së ndjenjës të së drejtës nga ana e europianëve”, tha zyrtari, duke përmbledhur emailin.
Mundësia për të pezulluar Spanjën nga aleanca do të kishte efekt të kufizuar në operacionet ushtarake amerikane, por ndikim të rëndësishëm simbolik, argumenton emaili.
Zyrtari nuk shpalosi sesi Shtetet e Bashkuara mund të zbatonin pezullimin e Spanjës nga aleanca, dhe Reuters nuk mundi të përcaktonte menjëherë nëse ekzistonte një mekanizëm ekzistues në NATO për ta bërë këtë.
Memorandumi gjithashtu përfshin një mundësi për të shqyrtuar rivlerësimin e mbështetjes diplomatike të SHBA-së për “zotërimet perandorake” europiane të hershme, të tilla si Ishujt Falkland pranë Argjentinës.
Uebfaqja e Departamentit të Shtetit thotë se ishujt administrohen nga Mbretëria e Bashkuar, por ende pretendohen nga Argjentina, presidenti libertarian i së cilës, Javier Milei, është aleat i Trumpit.
Britania dhe Argjentina zhvilluan luftë të shkurtër në vitin 1982 për ishujt, pasi Argjentina bëri u përpoq pa sukses për t’i marrë ato. Rreth 650 ushtarë argjentinas dhe 255 trupa britanike vdiqën para se Argjentina të dorëzohej
Trump e ka fyer vazhdimisht kryeministrin britanik, Keir Starmer, duke e quajtur frikacak për shkak të mosgatishmërisë së tij për t’u bashkuar me luftën e SHBA-së me Iranin, duke thënë se nuk është “një Winston Churchill” dhe duke i përshkruar transportuesit e avionëve të Britanisë si “lodra”.
Britania fillimisht nuk pranoi një kërkesë nga SHBA-ja për të lejuar avionët e saj të sulmojnë Iranin nga dy baza britanike, por më vonë ra dakord të lejojë misione mbrojtëse që synojnë mbrojtjen e banorëve të rajonit, përfshirë qytetarët britanikë, mes hakmarrjes iraniane.
Duke iu drejtuar gazetarëve në Pentagon në fillim të këtij muaji, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka theksuar se “shumë gjëra janë zbuluar” nga lufta me Iranin, duke vënë në dukje se raketat me rreze të gjatë veprimi të Iranit nuk mund të godasin Shtetet e Bashkuara, por mund të arrijnë Europën.
“Neve na shtrohen pyetje, ose pengesa, ose hezitime… Nuk ke aleancë përnjëmend nëse ke vende që nuk janë të gatshme të të mbështesin kur ke nevojë për to”, ka deklaruar Hegseth.