Policia e Shkodrës ka vijuar operacionet kundër trafikut të lëndëve narkotike, duke finalizuar me sukses një tjetër aksion të koduar “Target Group”, që çoi në zbulimin e një baze të përdorur për fshehjen dhe shpërndarjen e drogës në qytet.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë dhe arrestuan dy të rinj, N. F., 18 vjeç dhe K. Z., 20 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Ata u ndaluan në lagjen “Manush Alimani”, teksa posedonin doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, të cilat dyshohet se i shpërndanin kryesisht tek të rinjtë.
Nga hetimet rezultoi se një ambient i marrë me qira në të njëjtën lagje shërbente si bazë për fshehjen dhe përgatitjen e drogës për shitje. Në këtë aktivitet dyshohet se ishte i përfshirë edhe shtetasi L. A., 23 vjeç, i cili është shpallur në kërkim nga Policia.
Gjatë kontrollit në ambient dhe tek të arrestuarit, uniformat blu sekuestruan një sasi të konsiderueshme dozash kokaine dhe kanabisi, qindra qese farmaceutike për paketim, 5 peshore elektronike, 2 telefona celularë, një armë të ftohtë (shkop metalik), një motomjet të përdorur për shpërndarjen e lëndëve narkotike, si dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal.