Plani për ndërtimin e një resorti luksoz në Ishullin e Sazanit nuk është i ri për opinionin publik shqiptar, por një artikull i publikuar së fundmi nga The New York Times ka hedhur dritë mbi dimensione të reja të këtij projekti, duke zbuluar rrjetin e lidhjeve dhe interesave që qëndrojnë pas tij.
Në qendër të zhvillimit mbetet Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, i cili prej kohësh ka shpallur ambicien për të zhvilluar një investim të “kripur” në ishullin pranë brigjeve shqitpare.
Sipas The New York Times, prapa Kushner qëndrojnë dhe disa figura të tjera të rëndësishme, si familja Khayyat, një grup biznesi me origjinë siriane dhe me aktivitet të gjerë në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Katar, e cila ka ndërtuar një portofol të fuqishëm në sektorë strategjikë si infrastruktura, energjia dhe zhvillimi i pasurive të paluajtshme. Pikërisht kjo familje, ka ndërtuar marrëdhënie me Kushner dhe rrethin e familjes Trump, duke diskutuar mundësi bashkëpunimi dhe financimi për projekte të mëdha, përfshirë edhe atë në Shqipëri.
Në këtë kuadër, roli i këtyre investitorëve shkon përtej një pjesëmarrjeje të thjeshtë financiare. Ata paraqiten si aktorë kyç që mund të sigurojnë kapitalin dhe ekspertizën për zhvillime të mëdha turistike, duke e kthyer një projekt si ai i Sazanit në një destinacion elitar ndërkombëtar. Përvoja e tyre në ndërtimin e projekteve komplekse dhe lidhjet me fondet sovrane në rajon i bëjnë ata partnerë potencialisht vendimtarë për realizimin e investimeve të kësaj shkalle.
Megjithatë, raportimi i The New York Times e vendos këtë bashkëpunim në një kontekst shumë më të gjerë sesa thjesht turizmi në Shqipëri. Të njëjtët aktorë janë të përfshirë paralelisht në projekte miliarda dollarëshe për rindërtimin e Sirisë pas luftës, në marrëveshje energjetike dhe në iniciativa të tjera të mëdha infrastrukturore në rajon.
Sipas asaj që thuhet në këtë artikull, marrëdhëniet e tyre kanë marrë formë pikërisht në një periudhë kur familja Trump ka qenë aktive në skenën ndërkombëtare jo vetëm politikisht, por edhe në aspektin e biznesit.

Kush janë vëllezërit Khayyat:
Vëllezërit Khayyat vijnë nga një familje biznesmenësh, me origjinë siriane që kanë ndërtuar një nga grupet më të fuqishme ekonomike në Lindjen e Mesme, me aktivitet të përqendruar kryesisht në Katar. Në qendër të këtij grupi janë Ramez Al-Khayyat dhe Moutaz Al-Khayyat, të cilët drejtojnë një perandori biznesi të shtrirë në sektorë strategjikë si ndërtimi, infrastruktura, energjia dhe zhvillimi i pasurive të paluajtshme.
Ata njihen për realizimin e projekteve të mëdha dhe me ritëm të shpejtë, sidomos në Katar, ku kanë qenë të përfshirë në ndërtimin e infrastrukturës dhe objekteve të rëndësishme gjatë përgatitjeve për evente ndërkombëtare si Kupa e Botës. Kompanitë e tyre kanë fituar kontrata me vlerë miliarda dollarë dhe kanë krijuar lidhje të forta me institucionet shtetërore dhe fondet sovrane të rajonit.
Në të njëjtin rrjet familjar bën pjesë edhe Mohamad Al-Khayyat, i cili është më i përfshirë në projekte zhvillimi dhe turizmi, duke promovuar iniciativa për resorte, porte turistike dhe zona luksoze në brigjet e Mesdheut. Aktiviteti i tij lidhet shpesh me projekte që synojnë të tërheqin investime ndërkombëtare dhe marka të njohura globale.
Forca e vëllezërve Khayyat qëndron jo vetëm te kapitali i madh financiar, por edhe te rrjeti i gjerë i lidhjeve që kanë ndërtuar në politikë dhe biznes në rajon. Kjo i ka kthyer ata në partnerë të kërkuar për projekte të mëdha ndërkombëtare, ku kërkohen investime të konsiderueshme dhe menaxhim i komplekseve të mëdha zhvillimore.