Tjerët vijnë e shkojnë e prap mbetet Fjolla Morina
1
Mjafton emri – Fjolla Morina dhe dihet se ka të bëjë me të njohurën e skenës sonë, jo vetëm muzikore, shkruan Kosovarja.
“Tjerët shkojnë e vijnë e Fjolla mbetet” – kishte shkruar njëri ndër urimet e shumta për ditëlindjen e saj, të cilën ajo e feston sot.

Fjolla mbetet ndër më të komentuarat e jetës sonë publike, gjithmonë në vëmendjen e publikut gjithandej, si në profesionin e muzikës ashtu edhe në biznes.

Vlen të theksohet se Fjolla nuk është thjesht vetëm një këngëtare, është një nënë dhe një artiste që ka përballuar shumë sfida në jetë, të cilat asnjëherë nuk i ka fshehur.
Zaten kjo e bën që të krijojë fansa të shumtë, të cilët e vlerësojnë karakterin e saj të hapur, korrektësinë dhe sinqeritetin e saj.

Andaj edhe përgjatë jetës e karrierës së saj, reagimet në rrjete sociale kanë qenë të shumta, me ndjekësit që e kanë komplimentuar për paraqitjen dhe për energjinë pozitive që përcjell.
Që nga fillimi i karrierës, ajo ka ditur ta shndërrojë për pak çaste arenën në një atmosferë të zjarrtë dhe publikun e pranishëm ta çojë në këmbë duke kënduar dhe vallëzuar.
Përveç aktivitetit muzikor, Fjolla Morina është shfaqur shpesh në media edhe për jetën e saj personale, stilin e veshjes dhe deklaratat publike.
Shkurt, ajo ka qenë subjekt i vëmendjes së vazhdueshme nga mediat rozë dhe ka ndërtuar një profil të fortë në rrjetet sociale.

Bashkëbisedimi me të gjithmonë reflekton emocione të thella dhe pasqyron momentet e ndjeshme që shumë njerëz përjetojnë kur reflektojnë mbi zgjedhjet e jetës dhe ëndrrat që mbeten ende të parealizuara.
Fjolla, si gjithherë e hapur, nuk deshi ta fshehë edhe depresionin që e kaploi pak kohë, për të mos u dhënë hapësirë gojëkëqinjve e përgojimeve të ndryshme.
“…ky farë depresioni më ndodhi për shkak të jetës private, familjes, karrierës – si një grumbullim për gjithë këto”, e thotë Fjolla.

Sidoqoftë, tani këngëtarja, e cila njihet edhe për thyerjen e disa tabuve, është kthyer në realitet dhe e fokusuar më shumë në jetën personale.
“Jam duke punuar për super hite të reja këtë verë, me djeg. Do ta kalli ma shumë se vapa e verës”, thotë Fjolla, e cila sot e ka ditëlindjen, me ç’rast pritet të organizojë një natë festive për të mos harruar, të krijojë atmosferë të surprizuar në njërin nga restorantet tona luksoze.
Urimeve të shumta nga fansat, i bashkangjitemi edhe ne – Gëzuar Fjolla! / Kosovarja
