Edi Rama merr goditjen e radhës nga Gjykata Kushtetuese. Del vendimi i zbardhur

April 15, 2026


Kryeministri Edi Rama mori sot goditjen e radhës nga Gjykata Kushtetuese pasi doli vendimi i zbardhur për pagat e gjyqtarëve që u sulmuan aq fort nga kreu socialist.

Në vendimin e zbardhur sot, Gjykata Kushtetuese pranon pjesërisht kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagave të tyre dhe lë afat për Parlamentin që të bëjë ndryshimet deri jo më vonë se data 31 korrik 2026.

Gjyqtarët kërkuan që pagat e tyre të indeksohen automatikisht sa herë rriten pagat në sektorë të tjerë shtetërorë, duke e konsideruar këtë si garanci kushtetuese të pavarësisë së gjyqësorit.

Kushtetuesja çmon se ka një ulje të fshehur të pagave të gjyqtarëve dhe shton: “Gjykata vlerëson se i takon Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, që të shmangë uljen e fshehur dhe ta përshtasë pagën e magjistratëve në raport të drejtë me rritjet e tjera dhe detyrën e funksionin, gjë e cila duhet të realizohet brenda datës 31.07.2026.

Kuvendi mund të zgjedhë të përshtasë formulën e re në mënyrë që të riparojë uljen e fshehtë ose duke iu referuar ndryshimit që pësoi kategoria e nëpunësve civilë në të cilët referonte formula e vjetër ose ndryshimit që pësoi paga e Presidentit, ose çdo zgjidhjeje tjetër të krahasueshme me ndryshimet e kategoritë e mësipërme dhe brenda limiteve të tyre, gjithnjë në respektim të garancive të nenit 138 të Kushtetutës, duke mbajtur në vëmendje edhe faktin që inflacioni dhe situata ekonomike kanë efekt të njëjtë mbi të gjitha kategoritë e punonjësve, pavarësisht detyrës dhe funksionit që kryejnë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Edi Rama në dalje të përsëritura mediatike hodhi akuza të shumta ndaj gjyqtarëve duke thënë se pagat e tyre janë më të larta se të gjyqtarëve në Greqi dhe dyfish më tepër se ata në rajon.

Rama sfidoi veten kur tha se se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk do të rriten për sa kohë ai të jetë kryeministër. Por vendimi i fundit e detyron atë që të çojë socialistët në Parlament për të hapur rrugën e rritjes së pagave.



Source link