“Mos bëni këtë gabim”, paralajmërimi i fortë i Meri Gjini për këtë javë: Tre ditët e para janë shumë të rëndësishme – Lajme Big Brother Vip
Astrologja Meri Gjini ka bërë parashikimin e horoskopit për javën në emisionin “Mes’dritë”, në Vizion Plus, me dyshen e moderatorëve Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova.
Tre ditët e para të javës janë shumë të rëndësishme për t’u marrë me çështjet e ekonomisë.
Përputhja e Venusit me Jupiterin ofron një mundësi të mirë për të zgjidhur detyrimet financiare dhe për të vendosur rregull në planet afatgjata.
Një ngjarje kyçe është Hëna e Re te Dashi (në mbrëmjen e datës 16 duke u gdhirë data 17), e cila shënon fillimin e një cikli të ri transformimi real në përditshmëri, filozofi dhe moral.
Planet e reja duhet të mbahen sekret dhe të mos ndahen me të tjerët derisa të marrin formë të plotë.
Kujdes me financat: Shenjat e Tokës (Demi, Virgjëresha, Bricjapi) duhet të jenë më të kujdesshme me shpenzimet dhe të mos rrezikojnë me lëvizje të papritura parash
Dashi: Jeni protagonistët e momentit. Meri këshillon të fokusoheni te gjërat që duhet të hiqni nga vetja (shitjet janë të favorizuara, blerjet jo). Përdorni tre ditët e para për të rregulluar detyrimet ekonomike, kredite apo borxhet. Kini kujdes me sistemin imunitar, pasi lodhja fizike mund të shfaqet sapo Marsi të bashkohet me Saturnin
Demi: Priten informacione të papritura ose devijime të axhendës gjatë të martës dhe të mërkurës. Fillimi i javës mund të shoqërohet me nervozizëm, por Venusi dhe Jupiteri ju ndihmojnë të korrigjoni raportet njerëzore, qofshin ato personale apo profesionale. Mund të keni kontakte të reja sociale deri të enjten paradite.
Binjakët: Këshilloheni të lini pas gjithçka që ka ngecur dhe nuk ka evoluar, pasi po harxhoni energji kot. Duhet të jeni më guximtarë dhe fleksibël. Ky është momenti për nisje të reja në profesion dhe projektime të rëndësishme që do të sjellin fitore në planat afatgjatë
Gaforrja: Të lindurit në ditët e para do të kenë një ngarkesë të lartë pune. Pjesa tjetër duhet të shfrytëzojë tre ditët e para për dashurinë dhe familjen. Të mërkurën mund të keni mundësi për firma apo marrëveshje të rëndësishme. Merrni frenat e fatit në dorë dhe mos ia lini gjërat rastësisë.
Luani: Priten nisje të reja, shpërngulje ose ndryshime adrese. Do të veproni me parimin “dy hapa para dhe një hap pas” për të mbyllur çështjet e vjetra që ju kanë shqetësuar. Fundi i javës do të jetë i mbushur me entuziazëm dhe vrull. Kjo është koha për të “mbjellë” në mënyrë që të korrni shpërblime në gjashtëmujorin e dytë.
Virgjëresha: Mund të ndjeni ankth ose pasiguri sikur gjërat do të dalin jashtë kontrollit. Kjo vjen nga një lodhje e gjatë. Meri ju këshillon të zgjidhni njerëzit e duhur me të cilët do të ndani pakënaqësitë për të shmangur debatet e kota. Pavarësisht frikërave, Jupiteri dhe Venusi ju mbrojnë dhe nuk do t’ju lënë të rrëzoheni
Peshorja: Nga dita e martë, axhenda juaj do të përcaktohet nga kërkesat e të tjerëve (shefat, kolegët apo bashkëpunëtorët). Mund të ndiheni sikur po bëni më shumë punë seç ju takon, gjë që mund të shkaktojë pak nervozizëm. Tregoni kujdes me komunikimin në ambientin e punës
Akrepi: Mund të ndjeni mungesë mbështetjeje ose keqkuptime në punë. Meri sugjeron të ulni pritshmëritë nga kolegët dhe të fokusoheni te jeta personale, e cila është më e favorizuar. Organizohuni mirë: shkruani prioritetet dhe detyrimet e domosdoshme që të mos i harroni nga ngarkesa e javës. Ndryshimet që vijnë do të jenë për mirë
Shigjetari: Për ju nis zyrtarisht një periudhë shumë e mirë. Çështjet ekonomike do të rrjedhin natyrshëm dhe do të zgjidhen lehtësisht. Pritet një strukturim i ri në punë dhe përshpejtim i projekteve që kanë nisur që nga nëntori i kaluar. Çështjet personale do të qartësohen pas datës 23.
Bricjapi: Truri juaj është i mbushur me ide kreative dhe pasione, por axhenda e përditshme do të jetë shumë e ngarkuar. Duhet të qartësoni detyrimet e pashmangshme dhe t’i shkruani ato. Organizimi që bëni tani për punën dhe financat do të ketë ndikim deri në fund të verës
Ujori: Të lindurit në mes të shenjës do të kenë informacione të mira për ekonominë, ndërsa ata të lindurit në fillim mund të marrin propozime të reja pune që rrisin emrin e tyre profesional. Të lindurit në ditët e fundit mund të ndihen nervozë për shkak të ndryshimeve të papritura në axhendë
Peshqit: Humori do të jetë disi i paqëndrueshëm, por keni mundësi t’i jepni ngjyrën që doni tre ditëve të para. Tregoni kujdes me fizikun dhe shëndetin deri të enjten. Mos u nxitoni në lëvizje dhe mos e ngjishni axhendën, pasi mund të dalin detyrime të momentit të fundit, sidomos për të lindurit në dhjetëditëshin e fundit.