Ushtria amerikane tha se do të nisë bllokadën ndaj të gjitha mjeteve lundruese që hyjnë dhe dalin nga portet dhe zonat bregdetare iraniane pasi bisedimet e fundjavës dështuan të prodhojnë një marrëveshje për fundin e luftës me Iranin.
Komanda Qendrore amerikane tha se bllokada, që hyn në fuqi nga ora 10 e mëngjesit të së hënës, do të zbatohet për anije nga të gjitha shtetet, që hyjnë ose dalin nga portet iraniane, përfshirë edhe ato në Gjirin Arab dhe të Omanit. Sipas ushtrisë, mjetet që kalojnë tranzit në ngushticën e Hormuzit dhe nga portet jo-iraniane, nuk do të pengohen.
Presidenti amerikan Donald Trump tha të dielën se forcat amerikane do të interceptojnë gjithashtu çdo anije në ujërat ndërkombëtarë që u kanë paguar taksa Iranit dhe se marina amerikane do të fillojë të shkatërrojë minat që iranianët kanë hedhur në ngushticë.
Forcat e armatosura iraniane kanë kërcënuar të hakmerren kundër bllokadës amerikane, duke e cilësuar veprimin e paralajmëruar të Uashingtonit si të paligjshëm dhe akt piraterie.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia e lajmeve IRIB, Irani tha se do të vazhdojë të kontrollojë ngushticën edhe pasi lufta të marrë fund, dhe se anijet e lidhura me armikun nuk do të kenë të drejtën të kalojnë në ujërat e veta territorialë.
Në një paralajmërim për vendet e tjera të Gjirit, ushtria e Iranit thotë se siguria e porteve në rajon “është ose për të gjithë, ose për askënd” dhe nëse portet iraniane goditen nga SHBA, “asnjë port në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit nuk do të jetë i sigurt”.
Ndërkohë, kryetari i parlamentit Muhamed Galibaf tha në një postim në X se shumë shpejt, Shtetet e Bashkuara do të kujtojnë me nostalgji çmimin e gazit prej 4-5 dollarësh për gallon, duke sugjeruar pasoja negative për konsumatorët amerikanë.
Çmimet e naftës u rritën me më shumë se 7 për qind, në mbi 100 dollarë për fuçi mëngjesin e së hënës, pas njoftimit të bllokadës në Hormuz.