Zhvillime të reja kanë dalë në pah në lidhje me rastin e 27-vjeçares Sibela Abedini, ku pas deklaratave të forta të bëra nga tezja e saj, ka reaguar motra e viktimës, duke kundërshtuar publikisht çdo pretendim.
Në një prononcim për emisionin Me Zemër të Hapur, motra e Sibelës i cilësoi akuzat si të pabaza dhe të nxitura nga konflikte të mëparshme familjare. Ajo theksoi se pretendimet se familjarët mund të jenë të përfshirë në vdekjen e të resë nuk qëndrojnë dhe nuk kanë asnjë mbështetje faktike.
Sipas saj, marrëdhëniet e tensionuara mes tezes dhe nënës së tyre mund të kenë ndikuar në deklaratat e bëra publikisht, duke i konsideruar ato si të motivuara nga arsye personale.
Në të njëjtën kohë, ajo mohoi kategorikisht edhe pretendimin se nëna e tyre ka pasur njohje apo lidhje me Altin Çokun, duke theksuar se familja nuk ka asnjë lidhje me të dhe nuk ka dijeni për përfshirjen e tij në këtë çështje.
Motra e viktimës ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi faktin se akuzat janë bërë publikisht dhe jo përmes kanaleve zyrtare, duke nënvizuar se një çështje e tillë kërkon trajtim nga organet kompetente dhe jo deklarata në rrjete sociale.
Rasti vijon të mbetet i paqartë, ndërsa pritet që hetimet zyrtare të zbardhin rrethanat e plota dhe të japin një përgjigje përfundimtare mbi ngjarjen.