Një ngjarje e pazakontë është regjistruar gjatë natës në lagjen “8 Shkurti” në Fier, ku një person rreth moshës 40 vjeç, ende i paidentifikuar, ka humbur jetën gjatë një tentative të dyshuar për vjedhje.
Sipas familjarëve të pronarit të banesës trekatëshe ku ndodhi ngjarja, ky i fundit ndodhet prej rreth një muaji në Greqi pranë familjes së tij.Vëllai i pronarit bën me dije se ngjarja është zbuluar nga një fqinj që kujdeset për qenin e tyre, i cili në mëngjes ka konstatuar trupin e pajetë të të personit të mbetur në dritare dhe ka njoftuar menjëherë policinë.
Gazetarja e Klan News Anila Sefa raporton se viktima dyshohet se ka tentuar të hyjë në banesë duke thyer një xham, por gjysma e trupit i ka mbetur e bllokuar në dritare, çka dyshohet se i ka shkaktuar edhe vdekjen.
Trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit të Fierit, ndërsa identiteti i tij ende nuk është bërë i ditur.
“Vëllai im ka rreth një muaj që është larguar në Greqi për festat e Pashkës. Fqinji që kujdeset për shtëpinë e ka gjetur personin në dritare dhe ka njoftuar policinë,” u shpreh familjari i pronarit të banesës. Ai shtoi se personi i pajetë ishte i veshur me doreza, i përgatitur për vjedhje.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.