Fillon shërbimi për ndërrimin e qendrave të votimit në periudhë jozgjedhore – KQZ tregon se a ka të bëjë me zgjedhjet e reja?
2
Prej disa ditësh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar t’iu ofrojë votuesve mundësinë që të ndryshojnë qendrën e votimit brenda komunës së tyre.
Ndonëse ky duket si një aktivitet i zakonshëm që jemi mësuar ta shohim gjatë proceseve përgatitore të zgjedhjeve, në KQZ kanë thënë se ky aktivitet nuk ndërlidhet me ndonjë proces të mundshëm zgjedhor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për EO se ky aktivitet nuk ka lidhje me paralajmërimet për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, ky aktivitet pritet të kontribuojë në përmirësimin dhe saktësimin e listës votuese për proceset e ardhshme zgjedhore.
“Nga dita e mërkurë, 8 prill, KQZ ka filluar të ofrojë shërbimin për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës edhe në periudhë jozgjedhore. Ky aktivitet është një obligim ligjor për KQZ-në nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe nuk ndërlidhet me ndonjë proces të mundshëm zgjedhor, por është pjesë e funksioneve të rregullta institucionale. Natyrisht se ky aktivitet ndihmon në përmirësimin e listës votuese për proceset e ardhshme zgjedhore kurdo që ato mbahen”, tha Elezi.
Sipas Elezit, ndërrimi i qendrës së votimit brenda komunës është në vullnetin e votuesve, në rastet kur e shohin të nevojshme, në mënyrë që ta caktojnë sa më afër vendbanimit të tyre.
Kërkesa mund të paraqitet online përmes platformës elektronike të KQZ-së (https://qv.kqz-ks.org) ose në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi.
Elezi shpjegoi se sipas përgjegjësive ligjore, KQZ mund të ofrojë për votuesit vetëm ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës ku është i caktuar votuesit, por jo edhe ndërrimin e qendrës së votimit nga një komunë në komunën tjetër, pasi ky proces është i ndërlidhur me deklarimin zyrtar të adresës së vendbanimit nga qytetarët/votuesit dhe menaxhohet nga institucione tjera.
“Për të kaluar nga një qendër votimi e një komune, në qendrën e votimit në një komunë tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën e tij në Zyrën e Gjendjes Civile apo në platformën E-Kosova. Pas konfirmimit të ndryshimit të adresës nga Shërbimi i Gjendjes Civile, adresa e re reflektohet në Regjistrin Qendror Civil”, shpjegoi Elezi.
Sipas tij, çdo ndryshim i adresës së banimit, pas një kohe do të pasqyrohet në platformën e KQZ-së (https://qv.kqz-ks.org) dhe rrjedhimisht në Listën Votuese.