Besnik Qaka dhe vajza e tij performojnë me pianistin e njohur francez
1
Një moment i veçantë dhe thellësisht emocionues, i regjistruar nga një pianist i huaj në një hapësirë publike, ka marrë dhenë në rrjetet sociale.
Protagonistët? Këngëtari shqiptar, Besnik Qaka, dhe vajza e tij vetëm 6-vjeçare, Una. Videoja e tyre duke kënduar bashkë po prek zemrat e mijëra njerëzve, duke u shpërndarë kudo.
Çdo gjë filloi kur pianisti i njohur francez, Aurélien Froissart, i cili njihet për performancat e tij në piano publike, po luante një melodi. Papritur, Una iu afrua dhe i kërkoi nëse mund të luante këngën “Die With a Smile” nga Lady Gaga dhe Bruno Mars.
Ajo që ndodhi më pas ishte vërtet magjike. Una mori babanë e saj, Besnik Qakën, dhe e solli tek pianoja për të kënduar së bashku. Me një zë të ëmbël dhe duke kënduar përkrah babait të saj artist, Una dëshmoi talentin dhe lidhjen e fortë që ka me të.
Pianisti, Aurélien Froissart, i cili ka postuar videon, e ka përshkruar këtë moment si “duetin më të lezetshëm atë-bijë ndonjëherë”, duke shtuar se performanca e tyre “i bëri të gjithë të qanin”. Ai ka ftuar ndjekësit të shikojnë videon deri në fund për të parë momentin kur ata këndojnë së bashku.
Fansat dhe dashamirësit e artistit nuk kanë kursyer komentet e tyre plot ëmbëlsi, duke vlerësuar talentin e Unës në muzikë.