“Ke me hangër plumin shpejt”, dështon seanca për kanosjen ndaj moderatorit Alaudin Hamiti – Ora Info

April 10, 2026


Në mungesë të të dëmtuarit, Alaudin Hamiti, dështoi të mbahej seanca fillestare ndaj Liman Berishës, i cili akuzohet se përmes “Facebook”-ut kishte kanosur Hamitin për shkak të deklaratave që ky i fundit kishte bërë ndaj ish-banorit të “Big Brother”, Edi Gashi.

Gjykatësi i rastit, Eroll Gashi, konstatoi se gjykata nuk ka dëshmi se i dëmtuari Hamiti ka pranuar ftesën për pjesëmarrje në këtë seancë, çka tha se në mungesë të kësaj dëshmie seanca nuk mund të mbahet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pranishëm në gjykim ishte i akuzuari Berisha me avokatin e tij, Gojart Zymberi, si dhe prokurori i shtetit, Malart Kuçi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 19 mars 2026, thuhet se më 26 nëntor 2024, rreth orës 14:30, në Facebook në adresë të Klan Kosovës, i pandehuri Liman Berisha, në formë shkrimi dhe mesazhesh me zë, ka dërguar porosi kanosëse kundër të dëmtuarit, moderatorit Alaudin Hamiti, duke shkruar: “Edi (ish-banor i programit) është nipi jem, atë fjalë që ja ke thanë Alaudin, besom ka me pagu me jetë, si dhe që po rrit atë tonë ka me hanger plumin shpejt”.

Sipas aktakuzës, me këtë veprim i dëmtuari Hamiti ka ndjerë frikë dhe pasiguri.

Prandaj, Berisha ngarkohet me veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.





Source link