Aurela Gaçe thyen heshtjen, merr vëmendje me shkrimin për Mirin
Rrugëtimi i Mirit brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Albania 5” po shkon drejt fundit dhe ndërkohë që finalja po afron, mbështetja nga miqtë dhe kolegët e tij artistë po bëhet gjithnjë e më e ndjeshme.
Së fundmi, ajo që ka thyer heshtjen dhe ka bërë një reagim mjaft emocionues publik është ikona e muzikës shqiptare, Aurela Gaçe.
Përmes një postimi të ndjerë në rrjetet sociale, Aurela ka treguar se ndonëse ka pasur shumë miq dhe bashkëpunëtorë ndër vite që janë bërë pjesë e këtij reality show, ajo ka zgjedhur gjithmonë të mos përfshihet në komente publike.
Kjo zgjedhje, siç shpjegon ajo, vjen për shkak të gjuhës së urrejtjes dhe energjisë negative që shpesh prodhojnë këto lloj programesh tek audienca.
Megjithatë, për mikun e saj Mirin, ajo ka bërë një përjashtim, duke sjellë në vëmendje grupin legjendar “West Side Family” si dhe të ndjerin Dr. Flori.
Në dedikimin e saj, këngëtarja shprehet:
“Ata ishin 3 @westsidefamilyofficial dhe vazhdojnë të jenë në zemrat e atyre që i deshën e i duan për artin e për emocionet që shkaktuan. Prej disa muajsh @miri_westsidefamily mori një vendim për t’u bërë pjesë e BBVA. Në fakt unë personalisht kam pasur shumë miq e shokë e bashkëpunëtorë pjesë e BBVA. E asnjëherë nuk kam marrë përsipër të komentoj askënd nga bashkëpunëtorët që vendosin të bëhen pjesë e formateve që shpesh bëhen shkak për një gjuhë urrejtjeje. Energji që nuk dua t’a afroj e as t’a prodhoj.”
Pavarësisht kësaj distance që mban nga dinamikat e programit, Aurela ka theksuar rëndësinë e qëllimit me të cilin Miri ka hyrë në atë shtëpi.
Në mbyllje të mesazhit të saj, ajo i uron atij të korrë frytet e kësaj eksperience, duke risjellë në kujtesë një frazë ikonike nga këngët e Dr. Florit.
“Rrugëtimit të Mirit po i vjen fundi e dua vetëm t’i uroj të ketë marrë e të marrë më vonë frytet e arsyes e qëllimit që ai kishte kur vendosi të bëhej pjesë e këtij formati. Në fund ka vetëm një fitues. Por jeta shkon siç e thoshte në këngë edhe Dr. Flori, ndaj në fund të ditës, secili, e për Mirin, mikun tonë, uroj të marrë dashuri e vetëm dashuri.”
Ky mesazh vjen si një thirrje për pozitivitet në një moment kur presioni i garës është në kulmin e tij, duke i dhënë Mirit një mbështetje të madhe morale nga jashtë.