Relativizimi i Kushtetutes është fillimi i autokracisë
1
Relativizimi i Kushtetutës është fillimi i autokracisë
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si akti më i lartë juridik i shtetit tonë, nuk është vetëm një tekst normativ – ajo është themeli mbi të cilin qëndron vetë shteti dhe shoqëria jonë. Një kushtetutë moderne, e ndërtuar mbi parime demokratike dhe garanci të forta për të drejtat dhe liritë e qytetarëve, ajo ka paraparë mekanizma për të përballuar sfida të shumta. Por ajo nuk është ndërtuar për t’u përballur me kriza të improvizuara qëllimisht e me vetëdije, si dhe me interpretime të porositura që pastaj “çorodisin” frymën dhe përmbajtjen e saj.
Për vite me radhë, deri pas zgjedhjeve të vitit 2019, Kushtetuta ka qenë busull orientuese për lidershipin institucional dhe politik në vend. Respektimi i saj ka qenë minimumi i përgjegjësisë shtetërore, të cilën e kanë respektuar. Por, me ardhjen në pushtet të një lëvizjeje të ekstremit të majtë, kemi parë një “ndryshim” të rrezikshëm: një qasje ku synimi politik tenton të vendoset mbi rendin juridik e kushtetues – një logjikë e njohur e autokracive, ku pushteti nuk kufizohet nga ligji, por përpiqet ta nënshtrojë atë.
Faktet janë të qarta: dhjetëra ligje janë kthyer mbrapsht nga Gjykata Kushtetuese, pikërisht sepse cenojnë rëndë të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Tentativat për të kapur institucionet e pavarura kushtetuese – si rasti i shkarkimit kundërkushtetues të kryetares së KQZ-së apo mos emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit, pa bazë e pa arsye – nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një logjike të rrezikshme të kontrollit dhe centralizimit të pushtetit.
Prandaj, respektimi i Kushtetutës nuk është vetëm çështje juridike. Është çështje e lirisë. Është çështje e demokracisë. Është çështje e së ardhmes së shtetit.
Sepse aty ku Kushtetuta relativizohet, fillon rrëshqitja drejt arbitraritetit e autokracisë. Dhe aty ku ligji zëvendësohet nga qëllimet politike, qytetari mbetet i pambrojtur.
Prandaj, reagimi nuk mund të jetë as i vakët dhe as selektiv. Ai duhet të jetë i qartë, i qëndrueshëm dhe i fuqishëm: çdo tentativë për të zhvlerësuar Kushtetutën duhet të refuzohet pa kompromis. Sepse mbrojtja e saj nuk është vetëm detyrë institucionale – është obligim qytetar dhe garanci për lirinë e secilit prej nesh.
