Në pranga u vu shtetasi Agim Visha banues në Tiranë, i cili dyshohet se pasditen e djeshme, në ambientet e jashtme të një lokali, tentoi të vriste me armë zjarri (pistoletë me mulli) shtetasin I. D..
Siç shihet edhe nga pamjet, autori nxjerr në mes të lokalit armën e zjarrit dhe tenton disa herë të qëllojë.
Arma u sekuestrua nga policia, ndërsa i pandehuri, i cili tentoi të largohej nga vendngjarja, u kap dhe u vu në pranga menjëherë.
Shkak i sherrit
Sipas burimeve, 38-vjeçari i ka pasur borxh një shumë prej 100 eurosh Vishës, ndërsa ky i fundit ka deklaruar se e ka parë rastësisht në lokal dhe ka shkuar për t’i kërkuar shumën e lekëve. Fillimisht janë konfliktuar me fjalë banale dhe më pas 38-vjeçari e qëllon me shpullë Vishën. Ky i fundit nxjerr armën dhe e kërcënon. Agim Visha është person me precedent penal.
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Responde”.
Tentoi të vriste me armë zjarri, një 38-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet menjëherë pas ngjarjes dhe arrestohet 50-vjeçari.
Sekuestrohet arma e zjarrit (pistoletë me mulli) me municion.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas njoftimit se në rrugën “Myslym Keta”, po konflikteshin dy shtetas, njëri prej të cilëve mbante armë zjarri, kanë organizuar punën për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Respond”, u arrestua shtetasi A. V., 50 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se pasditen e djeshme, në ambientet e jashtme të një lokali, në rrugën “Myslym Keta”, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin I. D., 38 vjeç, dhe ka tentuar ta vrasë atë, me armë zjarri pistoletë me mulli, që e mbante pa leje.
Shtetasi A. V. ka tentuar të largohet, por është kapur dhe vënë në pranga nga shërbimet e Policisë, menjëherë pas ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.