LETRA/ “Pronari s’ma deklaron pagën aq sa e kam”, Tatimet zbarkojnë në Korçë
Administrata Tatimore ka intensifikuar kontrollet në terren në kuadër të luftës kundër informalitetit, me fokus të veçantë tek deklarimi i pagave, një fenomen që dëmton drejtpërdrejt skemën e kontributeve dhe pensionet.
Një rast konkret është evidentuar në qytetin e Korçës, ku pas një denoncimi qytetar, inspektorët tatimorë kanë konstatuar shkelje të rënda në një subjekt tregtar.
Sipas verifikimeve në terren, biznesi nuk deklaronte pagat reale të punonjësve, duke shmangur detyrimet ligjore dhe kontributet për sigurimet shoqërore. Gjithashtu, gjatë kontrollit është konstatuar edhe mungesa e afishimit të listës së çmimeve, një tjetër shkelje e parashikuar nga legjislacioni.
Autoritetet kanë ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj subjektit në përputhje me ligjin, ndërsa rasti i është referuar për hetime të mëtejshme Drejtorisë së Hetimit Tatimor dhe Inspektoratit Shtetëror të Punës.
Administrata Tatimore u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë rastet e punës informale dhe shmangies së detyrimeve përmes adresës zyrtare, duke theksuar se bashkëpunimi me publikun mbetet kyç në luftën kundër informalitetit. /skyweb.al