Skyweb.al mëson se Dallandyshe Bici dha sot shpjegime në SPAK në lidhje me procedurat e ndjekura për kalimin e një vile në emrin e tij teksa ajo ishte pjesë e një kompleksi turistik në periferi të Tiranës.
Ish-drejtoresha e përgjithshme e Kadastrës, Dalëndyshe Bici, është paraqitur sot në SPAK, ku është marrë në pyetje për rreth dy orë në kuadër të një hetimi që lidhet me Ergys Agasin.
Burime për Skyweb.al bëjnë me dije se Bici është pyetur në lidhje me procedurat e legalizimit dhe pajisjes me dokumentacion të rregullt hipotekor në emër të tij të një vile, e cila në fakt ishte pjesë e një resorti në periferi të Tiranës.
Dyshohet se Agasi përmes Bicit e hoqi vilën nga të qënit pjesë e kompleksit dhe e kaloi në emrin e tij. Dokumentacioni i gjetur nga SPAK e konfirmon këtë.
Sipas të njëjtave burime, dyshohet se kjo vilë është përdorur prej muajsh nga Agasi dhe, përmes procedurave të dyshimta, është shkëputur nga statusi i saj si pjesë e një kompleksi turistik, duke kaluar në pronësi personale të tij.
Mësohet se marrja e saj në pyetje është pjesë e një hetimi më të gjerë që lidhet me skandalin e AKSHI-t.
Në fokus të hetimeve mbetet mënyra se si është realizuar kalimi i pronësisë së vilës, si dhe roli që mund të ketë pasur ish-kreu i Kadastrës në këtë proces dhe raportet e saj ekskluzive me Agasin gjatë kohës që ushtronte detyrën./skyweb.al