Dhjetë hetues të SPAK-BKH zbërthejnë dosjet e ish-zv/kryeministres, paralajmërimi “bombë” i gazetarit, gati akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe grup kriminal për Belinda Ballukun, ja çfarë po ndodh me çështjen e shekullit
Gazetari Poli Hoxha ka bërë deklarata të forta lidhur me hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke paralajmëruar zhvillime të reja nga organet e drejtësisë. Sipas tij, hetimet e nisura nga SPAK janë intensifikuar ndjeshëm, me një grup prej rreth 10 hetuesish që po punojnë mbi çështjen, veçanërisht në drejtim të verifikimit të pasurisë. Ai theksoi se fokusi kryesor aktual është analiza e burimeve financiare dhe dokumentacionit përkatës. Hoxha u shpreh këtë fundjavë në emisionin “Kjo javë” në “News 24” se materiali hetimor i deritanishëm, që sipas tij përbëhet nga rreth 16 mijë faqe, përfaqëson vetëm “majën e ajsbergut”, duke lënë të kuptohet se hetimet mund të thellohen edhe më tej.
Ai shtoi gjithashtu se pas vendimit të fundit të gjykatës për sekuestrimin e dhjetëra pajisjeve, prokuroria po tregohet skrupuloze dhe pritet të ndërmarrë masa të reja në vijim. Në deklaratën e tij, gazetari ngriti pretendimin se Belinda Balluku mund të përballet jo vetëm me akuza për korrupsion, por edhe për drejtim të një organizate kriminale, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të mundshëm në fazat e ardhshme të hetimit. “Për Ballukun u mblodh dhe grupi parlamentar. Gjërat e vërteta janë atje ku është ‘hamxhiu’ prokurorët e çështjes. Nga pikëpamja e SPAK, grupi që po heton është bërë me 10 hetues, është bërë një BKH në këtë rast, sidomos te hetimi i pasurisë. Në të gjitha rastet, te këta që kanë qenë ministra, janë përdorur shumë gjëra. Kur u mor vendimi i gjykatës para pak ditësh për sekuestrimin e 90 aparaturave, pasi po tregohen skrupuloz.
Do të shkohet me një masë të re, shpejt e shoh këtë gjë. Këtë radhë, aq sa dimë dhe sa kanë dalë, me 16 mijë faqe që kanë dalë, është vetëm maja e ajsbergut. Zonja Balluku do të përfundojë me akuzën për organizatë kriminale, më keq nga të gjithë. Përveç korrupsionit që s’ia kanë kaluar akoma. Se do i dalë te hetimi i pasurisë”, u shpreh ai. Kujtojmë se dosja e Ballukut konsiderohet si dosje e shekullit. Ish-zv/kryeministrja Balluku është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”. Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt: “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”; “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”; “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”; “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Debatet në PS
Nga ana tjetër gazetari Poli Hoxha ka komentuar edhe zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te debatet dhe qëndrimet kritike brenda Partisë Socialiste, si dhe reagimet e figurave të njohura si Elisa Spiropali dhe Erion Braçe. Sipas Hoxhës, në Shqipëri është harruar thelbi i demokracisë, ku partitë politike duhet të jenë në qendër, ndërsa sot ato, sipas tij, janë kthyer në problemin kryesor për shkak të kapjes dhe dobësimit të tyre. Ai theksoi se zërat kritikë brenda partive kanë nisur të rikthehen, qoftë për arsye personale apo zhgënjimi, duke shtuar se një pjesë e anëtarësisë po largohet, ndërsa të tjerë po ngrenë zërin. Në këtë kontekst, ai përmendi edhe precedentë si “Lëvizja për Mendimin Ndryshe” në vitin 2012, e cila sipas tij u shtyp.
Duke komentuar daljet publike të Erion Braçes dhe Elisa Spiropalit, Hoxha u shpreh se ato nuk janë rastësore dhe se në thelb po artikulojnë çështje që lidhen me meritokracinë, garën dhe mendimin e lirë brenda partisë. Sipas tij, veçanërisht Erion Braçe “po bën një shërbim” duke nxjerrë në pah problematikat e brendshme, duke shtuar se këto zhvillime po e ekspozojnë kryeministrin Edi Rama. “Rama e ka nisur këtë tur, sepse i kanë ardhur sinjale nga baza”, u shpreh Hoxha, duke shtuar se takimet e fundit të kryeministrit me kryebashkiakët tregojnë një ndryshim në qasje, krahasuar me qëndrimet e mëparshme. Në analizën e tij, gazetari nënvizoi se diskutimet për statutet, meritokracinë dhe hapjen e partive janë bërë tashmë pjesë e debatit publik si në Partia Socialiste e Shqipërisë, ashtu edhe në Partia Demokratike e Shqipërisë. “Neve po na dalin simptomat se këtu është harruar se në thelbin e demokracisë, qëndrojnë partitë. I kemi harruar partitë. Këtu në Shqipëri partitë janë problemi më i madh, kapja e tyre dhe shkatërrimi i tyre. Pastaj na del kjo qeverisje. Kanë nisur të zgjohen.
Disa për arsye personale, disa në zhgënjim, gjithmonë ka zierë baza, edhe në PS dhe në PD. Ata që mërziten dhe ikin. Meqë janë rikthyer zërat kundër, si Spiropali dhe Braçe, në 2012 lindi Lëvizja për Mendimin Ndryshe, u shtyp pa mëshirë. Ishin personalitete në të, Marko Bello, Malaj, Meksi. Është lëvizje për mendim ndryshe. Nuk është rastësore dhe dalja e Braçes. Duket ndonjëherë sikur është bashkëpunim (Spiropali dhe Braçe). Me teza Braçja ka ecur përpara, por dhe Spiropali sot. Çdo lideri suprem i duhet një si Braçe. Thelbin tani ka nisur ta thotë Braçe. Në të dyja partitë po zihet në gojë meritokracia, gara dhe mendimi i lirë. PS nuk ka ardhur kur erdhi në krye Rama. Braçe foli për statutin. Braçe është duke bërë një shërbim, që po e nxjerr Ramën ‘lakuriq’. Nuk ka rëndësi nëse Braçe do kandidojë apo jo, apo Salianji nga ana tjetër. Rama ka pasur takime me kryebashkiakët, ndërsa në takimet e mëparshme i injoronte, sot i kapte nga qafa. Rama e ka nisur këtë turin për këtë, se i kanë ardhur sinjalet nga baza”, nënvizoi Hoxha.