Policia e Korçës ka konfirmuar se vdekje e 78-vjeçarit Gëzim Vija, i cili u gjet i vdekur në fshatin Bulgarec, është një vrasje. “Blutë” Korçës konfirmojnë se viktima është goditur në kokë me mjete të forta, gjë e cila i ka shkaktuar vdekjen.
Bëhet me dije se të afërm dhe familjarët e të moshuarit janë marrë në pyetje, ku kanë dhënë deklarime për konflikte të mundshme dhe situata të dyshimta brenda familjes.
Po ashtu bëhet me dije se janë dy pistat kryesore që po heton policia, të cilat janë: vrasje gjatë një tentative vjedhjeje, edhe pse në banesë nuk janë konstatuar humbje të hollash apo sende me vlerë, dhe vrasje për motive të tjera.
“Korçë/Informacion paraprak
Mëngjesin e sotëm, në fshatin Bulgarec, Korçë, është gjetur pa shenja jete, në banesën e tij, ku jetonte vetëm, shtetasi G.(M). V., rreth 78 vjeç. Trupi i pajetë është dërguar për ekspertizë mjekoligjore, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa po ashtu theksohet se po punohet për zbardhjen e këtij krimi mjaft të rëndë. Ndërkohë në media, është publikuar edhe FOTO e 78-vjeçarit.

Më herët u zbulua se Gëzim Vija, ishte i divorcuar dhe prej më shumë se 25 vitesh jetonte i vetëm në banesë.
Viktima la pas 4 fëmijë, dy prej të cilëve jetonin në qytetin e Korçës, ndërsa dy të tjerët jashtë shtetit.