Konjufca ftohet në takim virtual me 40 homologë, diskutohet për Ngushticën e Hormuzit
1
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca ka marrë pjesë në takimin virtual të nivelit të lartë me 40 homologë nga vende të ndryshme.
Konjufca përmes një postimi në Facebook tha se mori pjesë në këtë takim me ftesë të Sekretares së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper ku u diskutua situata në Ngushticën e Hormuzit pas fillimit të konfliktit mes Iranit, ShBA dhe Izraelit, shkruan KlanKosova.tv.
Ai tha se në takim u theksua se liria e lundrimit nuk mund të vihet në pikëpyetje dhe se koridoret ndërkombëtare të tregtisë nuk mund të përdoren si instrument presioni
“Në takim u theksua qartë se liria e lundrimit nuk mund të vihet në pikëpyetje dhe se koridoret ndërkombëtare të tregtisë nuk mund të përdoren si instrument presioni. Mbrojtja e anijeve civile dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare janë parime të panegociueshme. Republika e Kosovës dënon fuqishëm sulmet e Iranit që i shkelin këto parime. Ne qëndrojmë ne linjë me partnerët tanë në thirrjen se Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Sot, me ftesë të Sekretares së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, mora pjesë në një takim virtual të nivelit të lartë me mbi 40 Ministra të Punëve të Jashtme nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar mbi situatën në Ngushticën e Hormuzit.
Në takim u theksua qartë se liria e lundrimit nuk mund të vihet në pikëpyetje dhe se koridoret ndërkombëtare të tregtisë nuk mund të përdoren si instrument presioni. Mbrojtja e anijeve civile dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare janë parime të panegociueshme. Republika e Kosovës dënon fuqishëm sulmet e Iranit që i shkelin këto parime. Ne qëndrojmë ne linjë me partnerët tanë në thirrjen se Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt.
Ndërprerjet në këto rrugë jetike nuk janë vetëm çështje rajonale, por prekin drejtpërdrejt ekonomitë dhe stabilitetin e shumë vendeve, përfshirë edhe vendin tonë. Ato ndikojnë në zinxhirët globalë të furnizimit, në çmimet e energjisë dhe në sigurinë ekonomike në përgjithësi. Për këtë arsye, koordinimi ndërkombëtar dhe një qasje e përbashkët janë thelbësore për të garantuar stabilitetin dhe funksionimin normal të këtyre korridoreve strategjike.
Kosova mbetet e palëkundur në mbështetje të partnerëve të saj euroatlantikë dhe në Lindjen e Mesme, për mbrojtjen e lirisë së lundrimit dhe sigurisë ndërkombëtare.