Shqipëri e mpirë në fushë, kuqezinjtë e Silvinjos munden 1-0 nga Ukraina

April 1, 2026


Adriatik BALLA

Shqipëria e humbi miqësoren e mbrëmshme përballë Ukrainës, duke dëshmuar se një cikël në skuadër u mbyll dhe duhet hapur një cikël i ri, me shumë gjasë pa Silvinjon. Në fakt, Shqipëria zbriti mbrëmë në fushën e Valencias përballë Ukrainës pa shumë motivim si pasojë e eliminimit në “play-off” ndaj Polonisë. Mbrëmë trajneri Silvinjo angazhoi në fushë një formacion disi më të ndryshuar nga dueli me polakët, duke aktivizuar nga minuta e parë në qendër të mbrojtjes Pllanën dhe në vijën e sulmit Brojën.

Pjesa tjetër e grupit ishte e njëjtë me formacionin anti Poloni. Ukraina ishte e para që rrezikoi që në minutën e 4-t, por goditjen e Jaremçuk e priti portieri Strakosha. Deri në minutën e 10-të janë sërish ukrainasit që krijojnë raste por Laçi dhe Mitaj në momentet e fundit largojnë rreizkun. Kuqezinjtë do të rrezikonin me Uzunin në minutën e 13-të, por pa finalizimin e duhur. Ukrainasit gjejnë golin në minutën e 17-të me Jaremçuk, por arbitri e anullon për pozicion jashtë loje. Një minutë më pas Jaremçuk krijon sërish rast goli, por goditja e tij përfundon jashtë. Në minutën e 24-t Voroshin shfaqet në pozicion ideal për të shënuar, por Strakosha bën mrekullinë duke devijuar. Broja do të bëhej “i gjallë” në minutën e 25-të kur shmang dy lojtarë dhe tenton të kalojë edhe portierin, por pa sukses. Pas minutës së 27-të e deri në fund të fraksionit të parë të lojës ishin urkainasit ata që krijuan më shumë raste në fushë dhe tentuan të gjenin golin me anë të Voloshin, Malinovski, Shaparenko dhe Hutsuliak, por finalizimi i tyre la për të dëshiruar, duke bërë që fraksioni i parë i lojës të mbyllej me rrjeta të paprekura, 0-0.

Në pjesën e dytë fitojnë ukrainasit

Sapo rifillon loja Silvinjo nxjerr Brojën dhe Hoxhën dhe fut në fushë Pilon dhe Mehmetin. Menjëherë sapo filloi pjesa e dytë e ndeshjes ukrainasit gjetën rrugën e rrjetës, ku Guçuliak shënoi me kokë në portën e Strakoshës, pas një krosimi nga e majta. 1-0 dhe për kuqezinjtë gjërat në fushë bëhen të vështira. Duhet të vinte minuta e 55-të që Laçi të provonte me një goditje të fortë por portieri ukrainas e devijon sferën. Në minutën e 60-të Silvinjo bën tre zëvendësime të menjëhershme. Fut Pajazitin, Balliun dhe Bajramin në vend të Hysajt, Shehut dhe Laçit. Loja gjallërohet disi ku Uzuni pretendon edhe penallti në një rast, ndërsa ukrainasit përgjigjen me kundërsulme të shpejta e të rrezikshme. Gjithsesi, Huçuliak bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm në sulmin ukrainas, duke vënë në vështirësi ekipin tonë kuqezi.

Edhe pse tanët u përpoqën në minutat e fundit të barazonin, nuk ia dolën dhe këtë miqësore e fitoi Ukraina 1-0, duke dëshmuar se skuadra vuajti jo pak eliminimin e pafat nga Polonia në “play-off”-in e Botërorit. Si përfundim, pas këtij takimi Silvinjo pritet të largohet nga Kombëtarja. Edhe pse trajneri brazilian bëri mbrëmë shumë ndryshime në formacion dhe u dha mundësinë edhe të rinjve, skuadra rrezikoi shumë pak në sulm dhe ishte thuajse apatike në fushë, pa ide, pa shumë grintë dhe luajti një ndeshje që ishte thuajse detyrim për të. Tashmë mbyllet ky cikël dhe me siguri që cikli i radhës do të kërkojë trajner të rid he kontigjent lojtarësh të rinj.



Source link