“Luiz Ejlli më paralajmëroi…”/ Ish-banori flet për eksperiencën në BBVA 5
Pas eliminimit nga shtëpia e “Big Brother VIP Albania 5”, ish-banori Ardit Murataj ka nisur të ndajë me publikun detaje nga eksperienca e tij e shkurtër, por edhe prapaskena interesante që kanë ndodhur para hyrjes së tij në këtë format.
I ftuar së fundmi në “Zgjohu me MCN”, ai është pyetur rreth miqësisë që ka me Kiara Titon dhe bashkëshortin e saj, fituesin e edicionit të dytë, Luiz Ejllin.
Gazetarja e ka ngacmuar Arditin për të zbuluar se çfarë porosish kishte marrë nga çifti i njohur përpara se të niste këtë rrugëtim intensiv dhe si e kishin pritur ata daljen e tij të parakohshme.
Me sinqeritet, ish-banori zbuloi se Luizi kishte qenë mjaft i drejtpërdrejtë dhe skeptik për përshtatjen e tij në një reality show të tillë, duke i dhënë një paralajmërim që në fund rezultoi tërësisht i saktë.
“Luizi më ka thënë ti s’bën për atë format, mos u lodh kot. Ma ka gjetur. Ma tha para hyrjes,” pranoi Arditi duke qeshur, teksa shtoi se këngëtari gjithashtu e kishte këshilluar që nëse vendoste vërtet të futej, thjesht ta shijonte eksperiencën.
“Më tha edhe këtë: Nëse do futesh, shijoje për aq kohë sa do zgjasi,” citoi ai fjalët e Luizit.
Nga ana tjetër, mbështetja pas eliminimit ka qenë maksimale, veçanërisht nga mikja e tij, Kiara. Ish-banori tregoi fjalët ngushëlluese dhe vlerësuese që moderatorja i kishte thënë sapo ai kishte lënë shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
“Kiara ndërkohë kur dola më tha mos u mërzit për asgjë, ke dalë shumë mirë, ke treguar veten tënde, siç të njohim ne ty, ashtu ke dalë,” përfundoi ai.