Kush merr lajme të mëdha në lidhje me paratë

April 1, 2026


Astrologja Meri Gjini ka bërë parashikimin e horoskopit për muajin prill në “Mes’dritë”, në Vizion Plus, me dyshen e moderatorëve Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova.

Ky muaj kërkon kontroll mbi ekonominë, por do të ketë ngjyra të bukura për gjithsecilin. Venusi te Demi na jep mundësinë të shijojmë anën emocionale në mënyrën më të mirë.

Prilli shënon fundin e tranziteve të mëdha. Urani kalon përfundimisht nga Demi te Binjakët, duke shënuar hyrjen totale në një cikël të ri. Neptuni është vendosur te Dashi, Plutoni tek Ujori (pa u kthyer më te Bricjapi), dhe ky cikël i ri do të zgjasë deri në vitin 2033. Zyrtarisht, kjo fazë e re nis më 27 prill, ndërsa më 10 prill Marsi hyn te Dashi, gjë që do të thotë se iniciativat e vitit 2026 do të fillojnë të marrin formë.

Dashi: Ky është muaji i tyre, pasi do të kenë Saturnin, Neptunin, Diellin, Mërkurin dhe Marsin në shenjë. Do të ankohen nga vrapi dhe intensiteti i lartë, por do të prodhojnë shumë. Duhet të përdorin instinktin dhe logjikën për iniciativat e reja profesionale, të cilat do të jenë afatgjata deri në pranverën e vitit 2028. Të lindurit në pesëditëshin e parë duhet të jenë të kujdesshëm me projektimet ekonomike.

Demi: Me Venusin në shenjë, do të kenë qartësim të raporteve në punë. Nga data 3 deri më 23 prill do të korrigjohen marrëdhëniet profesionale. Të lindurit në ditët e fundit të shenjës janë të imponuar të ndjekin ritmin e ndryshimeve nga Urani. Marsi te Dashi do t’i ndihmojë të vendosin se çfarë duhet të marrin me vete dhe çfarë duhet të lënë pas. Ata që kërkojnë dashuri do të kenë prezantime që do të shënjojnë botën e tyre emocionale.

Binjakët: Janë në pritje të Uranit, një hyrje që do ta ndjejnë gjatë. Të lindurit në ditët e para duhet të jenë të kujdesshëm me rreziqet ekonomike dhe raportet familjare rreth datave 22-24 prill. Pas datës 10-12 prill, zhvillimet në punë do të marrin një trajtë më të qartë. Kujdes i vogël me shëndetin (virozat) vetëm në ditët e para të muajit.

Gaforja: Do të kenë një axhendë shumë të ngjeshur dhe do të ankohen për mungesë kohe për vete dhe argëtim. Nga data 10 prill deri më 20 maj është një periudhë shumë e rëndësishme për zhvillimet në punë. Rreth datës 12 prill, mund të kenë lajme të rëndësishme për ekonominë ose zhvillime në dashuri nëse dalin dhe e kërkojnë atë.

Luani: Kanë një energji shumë pozitive nga planetët te Dashi. Duhet të organizohen dhe të ndërtojnë strukturën e duhur (p.sh. të dërgojnë CV) që të përfitojnë nga planeti i fatit që po vjen. Pas datës 3 prill, humori i tyre do të përmirësohet dhe do të jenë më bashkëveprues me njerëzit që duan.

Virgjëresha: Duhet të lënë pas atë që i ka lodhur dhe të mos analizojnë më dëmet e kaluara. Pas datës 10 prill, ritmi do të rregullohet. Venusi te Demi i ndihmon shumë në kërkim të dashurisë. Rreth datës 12 prill mund të marrin një lajm të gëzuar në lidhje me paratë.

Peshorja: Me Hënën e plotë në shenjën e tyre, duhet të pozicionohen me logjikë dhe në mënyrë praktike në raportet sociale dhe profesionale. Bashkëpunime të reja do të shënjojnë muajin prill dhe do të vazhdojnë edhe në maj. Duhet të kontrollojnë gjykimet ekstreme rreth datës 3 prill.

Akrepi: Largimi i Uranit sjell stabilitet dhe qëndrueshmëri. Pas datës 26 prill, akrepat me ambicie të mëdha nuk do të kenë limite. Megjithëse mund të kenë pak grindje në punë midis datave 10-16 prill, mesi i muajit do të afrojë njerëz që do t’u shkaktojnë emocione të forta dhe entuziazëm.

Shigjetari: Do të jenë optimistë dhe me ritëm të shpejtë, sidomos pas datës 9 prill. Presim transformime të mëdha në pjesën sociale deri në fund të majit. Edhe pse Venusi nuk është shumë komod për emocionet, ata do të gjejnë qetësi brenda ambientit të shtëpisë.

Bricjapi: Venusi favorizon emocionet, duke i bërë të ndihen më të sigurt në familje dhe dashuri. Do të merren me përzgjedhjen e punëve që prodhojnë vërtet. Kërkohet maturi në fjalë dhe arsyetim, por rezultati në fund do të jetë shumë i mirë.

Ujori: Duhet të kenë kujdes të mos jenë imponues në jetën private në ditët e para. Deri më 23 prill duhet të jenë të kujdesshëm me shpenzimet dhe rreziqet ekonomike. Pas kësaj date, situata financiare do të jetë më e qartë dhe priten përmirësime që nisin nga mesi i muajit.

Peshqit: Po kalojnë një frymë revolucionare në jetën e tyre. Ata që janë në raporte serioze do të kenë një qartësim të situatës falë Venusit te Demi. Axhenda do të jetë më e kthjellët dhe pa pasiguri në krahasim me marsin. Deri në mes të muajit priten përmirësime në financa.

Shenjat e ujit dhe të tokës do të kenë përmirësime në punë dhe ndjesi më të mira ekonomike, ndërsa shenjat e zjarrit dhe të ajrit do të kenë prurje konkrete në zhvillimet profesionale./vizionplus.tv



Source link