FAKTET/ A qendron deklarata e Ramës se heqja e taksës së qarkullimit ndaj karburanteve do t’i bënte shqiptarët të paguanin 4 herë më shumë?

April 1, 2026


Deklarata e Kryeministrit Edi Rama se heqja e taksës së qarkullimit do t’i detyronte shqiptarët të paguanin katër herë më shumë është kundërshtuar nga gazetari Klodian Tomorri, i cili ka bërë një analizë të detajuar mbi historikun e kësaj takse.

Sipas Tomorrit, në vitin 2011 qeveria e kohës hoqi tre taksa mbi automjetet: taksën e shitjes, taksën e qarkullimit dhe taksën e regjistrimit. Në atë kohë, taksa e qarkullimit ishte 10 mijë lekë në vit për makinat me naftë dhe 7500 lekë për ato me benzinë, ndërsa taksa e regjistrimit ishte 2400 lekë në vit.

Për të kompensuar të ardhurat, barra fiskale u zhvendos pjesërisht te karburanti, duke vendosur një taksë prej 7 lekësh për litër për naftën dhe 5 lekësh për benzinën, si dhe një taksë vjetore për automjetet e përdorura. Sipas analizës, ky riformatim ishte neutral për buxhetin, pasi të ardhurat mbetën në të njëjtin nivel, rreth 80 milionë euro në vit.

Por situata ndryshoi pas vitit 2014, kur qeveria Rama rriti taksën e qarkullimit nga 7 në 17 lekë për litër dhe më pas në 27 lekë për litër. Sipas Tomorrit, me efektin e TVSH-së, kjo taksë arrin në rreth 32.4 lekë për litër.

Ai thekson se kjo nuk ishte një zhvendosje e barrës fiskale, por një rritje e drejtpërdrejtë taksash, e cila u kushton qytetarëve shqiptarë rreth 200 milionë euro në vit.

Në analizën e tij, Tomorri kundërshton edhe pretendimin e Kryeministrit se vendet e rajonit e kanë taksën e qarkullimit të përfshirë te automjeti. Sipas tij, krahasimi i faturave vjetore tregon se Shqipëria është në të njëjtat nivele me vendet e rajonit.

Referuar të dhënave të përpunuara, taksat vjetore për automjetet janë rreth 200 euro në Maqedoninë e Veriut, 250-350 euro në Kosovë, 245-345 euro në Shqipëri dhe 250-450 euro në Serbi.

Sipas gazetarit, këto shifra tregojnë se pretendimi për një diferencë të madhe mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera nuk qëndron, duke e cilësuar deklaratën e Kryeministrit si të pavërtetë. /skyweb.al



Source link