Lirohen hapësirat publike në Orikum, Lungomare 3 hyn në fazën finale, Rama: Po transformohet vija bregdetare

March 27, 2026


Aksioni për lirimin e hapësirave publike në Orikum ka hyrë në një fazë kyçe dhe, sipas qeverisë, po i hap rrugë realizimit të plotë të projektit Lungomare 3 në vijën bregdetare të Vlorës.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga ndërhyrja e IKMT-së, ndërsa e cilësoi këtë proces si një hap të rëndësishëm për transformimin e zonës.

“Mbyllet lirimi i hapësirave publike, që i hap rrugë realizimit të plotë të projektit Lungomare 3 Vlorë-Radhimë-Orikum, i cili po e transformon vijën bregdetare në atë zonë”, u shpreh Rama.

Gjatë ditës së sotme, IKMT po vijon prishjen e 18 objekteve pa leje në Orikum. Sipas të dhënave, bëhet fjalë për ndërtime me konstruksion betonarme me sipërfaqe totale rreth 480 metra katrorë, ndërtime druri me sipërfaqe 450 metra katrorë, si edhe tenda me konstruksione metalike.

Projekti Orikum-Lungomare 3, që përfshin edhe bajpasin mbi kodrat e aksit Vlorë-Orikum, pritet t’i japë një tjetër frymëmarrje qytetit dhe të zgjerojë hapësirën e zhvillimit turistik në këtë pjesë të bregdetit.

Sipas qeverisë, ky investim strategjik krijon kushtet edhe për vijimin me Lungomare 4 në zonën e Orikumit, me synimin që Vlora të kthehet në qytetin bregdetar me shëtitoren më të gjatë në Mesdhe.

Lungomare 3 pritet t’u shërbejë jo vetëm banorëve të zonës, por edhe turistëve vendas e të huaj që zgjedhin çdo vit Rivierën Shqiptare.



Source link