Bie shpresa e fundit e Belinda Ballukut për t’i shpëtuar burgut, Gjykata Kushtetuese rrëzon bashkëpunëtorin e saj

March 27, 2026


Bie shpresa e fundit e Belinda Ballukut për t’i shpëtuar burgut. Zhvillimet më të fundit tregojnë se dosja ndaj saj nuk ka asnjë kthim pas dhe po rëndohet ndjeshëm ku pritet të kalojë në një nivel shumë më të rrezikshëm penal. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar përpjekjen e bashkëpunëtorit të saj, ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi, për të goditur provat e celularëve, konsiderohet një goditje direkte ndaj Ballukut që i hap rrugë akuzave të reja për korrupsion dhe grup të strukturuar kriminal.

Çfarë ndodhi?

Dje Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë kërkesën e Berberit për liri, pasi nuk pranoi të shqyrtojë pretendimet e tij për pavlefshmëri të provave të marra nga pajisjet elektronike. Që shkurtin e vitit 2024, kur oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kryen një kontroll në banesën e tij, 4 aparatet telefonike të sekuestruara aty u bënë një minierë ari për SPAK, për dosje të bujshme, përfshirë edhe Belinda Ballukun. Evis Berberi i bënte screenshot të gjitha bisedave me eproren e tij, ministren e atëhershme të Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku, dhe ia dërgonte ato bashkëshortes së tij Adela Ruko. Pikërisht nga telefoni i kësaj të fundit u zbuluan bisedat më të shumta, kur Berberi dhe Balluku flisnin për paracaktimin e tenderave të ndryshëm. Megjithatë Kushtetuesja nuk i mori fare në shqyrtim pretendimet e Berberit, me argumentimin se ato nuk ishin objekt në kërkesën zyrtare. Që ligjshmëria e provave të shqyrtohet në Kushtetuese duhet që ish kreu i ARRSH të ezaurojë të tria shkallët e gjykimit, duke filluar nga GJKKO e shkallës së parë.

Gati akuzat për korrupsion dhe grup kriminal

Më 16 dhjetor, SPAK i kërkoi Kuvendit autorizim për arrestimin e Ballukut, duke paraqitur elementë të rinj hetimor, që lidhen me 7 lote të Unazës së Tiranës, si edhe 3 tenderë të tjerë madhorë, mes tyre koncesioni i rrugës Thumanë–Kashar. “Në masat e para të kërkuara znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg; sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment Balluku rrezikon deri në 35 vite burg”, deklaruan disa javë më parë Prokurorët e SPAK, në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku kërkuan heqjen e imunitetit të ish-ministres, ku PS vendosi në Kuvend që të mos e lëshonte. Por burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se pozitat e saj pritet të rëndohen edhe më shumë. SPAK pritet të plasë “bombën” ndaj Ballukut, duke kaluar nga akuza e thjeshtë për shkelje të barazisë në tenderë, drejt dyshimeve për korrupsion dhe veprimtari të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, çka do të rëndojë ndjeshëm pozitën penale të saj.

Dyshimet për “grup të strukturuar kriminal”

Sipas burimeve pranë hetimit, materialet e sekuestruara nga SPAK përfshirë telefona, laptopë dhe pajisje të tjera elektronike pritet të jenë kyç për të zbuluar një skemë të gjerë bashkëpunimi mes zyrtarëve dhe biznesmenëve. Në fokus të hetuesve janë komunikimet dhe dokumentet që mund të tregojnë koordinim të mundshëm në procedurat e tenderëve. Pikërisht këto prova, sipas burimeve, mund të çojnë në rikualifikimin e çështjes si veprimtari e kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Mes emrave që janë vënë nën lupën e hetuesve, për shkak të sekuestrimit të pajisjeve elektronike, përmenden Gentian Gjyli, Erald Elezi, si dhe disa sipërmarrës të njohur në sektorin e ndërtimit si Bashkim Ulaj, Ilir Shtufi, Arbër Abazi, Artan Sako, Paqsor Buzi, Ylli Senka dhe Pëllumb Salillari. Po ashtu, në hetim janë përfshirë edhe zyrtarë të administratës si Viola Haxhiademi dhe Sindi Dushku, ndër të tjerë.

SPAK certifikoi provat në GJKKO

Gazeta e raportoi në njw artikull tw tundit se SPAK, për të qenë korrekt me procedurat në sekuestrimin e provave për dosjen Balluku, mori “OK” nga GJKKO për të zbërthyer telefonat, laptopët dhe pajisjet e tjera elektronike të bandës së dyshuar të ish-ministres. Vendimi u mor nga gjyqtari Erion Çela, në lidhje me sendet e sekuestruara gjatë kontrolle të SPAK, të zyrtarë dhe biznesmenë, kontrolle të ushtruara në dhjetor dhe në janar. Mësohet se vetëm Gjylit i janë sekuestruar 2 laptopë, një telefon dhe një USB. Edhe Elezit gjithashtu i janë sekuestruar telefona dhe kompjuterë. Gjatë kontrolleve objekti kanë qenë kompanitë e biznesmenëve të cilët kanë fituar tenderë të rrugëve me vlerë miliona euro, që SPAK po i heton, si dhe zyrtarë të institucioneve në varësi të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës që drejtonte Belinda Balluku. Në fund të vitit të kaluar, më 26 dhjetor SPAK ushtroi kontrolle në disa prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në vend. Kontrollet janë shtrirë te kompania “Gener 2” e biznesmenit Bashkim Ulaj fitues i tenderit për rrugën Thumanë–Kashar. Është kontrolluar edhe Ilir Shtufi, pronar i “Nova Construction – 2012” shpk, një prej 3 operatorëve që fitoi tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe në Tiranë, edhe kjo procedurë sot në hetim nga SPAK.Në vijim të hetimeve për dosjen Balluku dhe disa bashkëpunëtorëve të saj, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontroll edhe në banesën e Viola Haxhiademit, drejtoreshës së KESH-it, që deri para pak javësh mbante postin e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës. Pjesë e kontrolleve të SPAK ka qenë edhe drejtoresha e kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Sindi Dushku si dhe banesat e Sajmir Kuçit, Marsel Hoxhës dhe Jonida Çeços. Dy javë më pas kontrollet janë ushtruar tek: ‘Alko Impex’ e Arbër Abazit e ‘2T’ e Artan Sakos, fitues të lotit të 7 të Unazës së Tiranës. tek ‘GPG; e Paqsor Buzit dhe ‘Senka; e Ylli Senkës, fitues të Lotit të 5 të Unazës, tek firma Albstar, fituese e Lotit të 3-të të punimeve për Unazën e Madhe të Tiranës dhe tek firma ‘Salillari’ e Pëllumb Salillarit, fitues i Lotit 1 të Unazës së Madhe. Kontrollet janë ushtruar nga BKH në Tiranë, Fier dhe Lushnje. Ekspertimi i këtyre pajisjeve mësohet se kishte mbetur pezull, pasi deri më tani hetuesit ishin fokusuar tek provat shkresore të sekuestruara në Ministrinë e Infrastrukturës. Ndërkohë, burime bëjnë me dije se nga dy agjentë që po merreshin fillimisht me çështjen të Byroja Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim me prokurorët Dorina Bejko dhe Dritan Prençi, kanë angazhuar të paktën 10 oficerë, të cilët po kryejnë veprime intensive hetimore, si mbi materialet e sekuestruara, ashtu edhe mbi të dhëna të reja që kanë dalë gjatë hetimeve.



Source link