Vetëm një ditë na ndan nga nisja e spektaklit të shumëpritur Ferma VIP, që këtë sezon të tretë vjen nën drejtimin e Arbana Osmani. Premtimet për një produksion gjigant dhe standarde të papara më parë janë konfirmuar edhe nga regjisori Eduart Grishaj, i cili ishte i ftuar në nje emision televiziv.
“Besoj se ky është maksimumi që mund të bëhet,” u shpreh Grishaj, duke theksuar se ky edicion “nuk krahasohet vetëm me vendin tonë, por me të gjithë rajonin”. Sipas tij, çdo detaj është çuar në një nivel tjetër:
“Çdo gjë ka ndryshuar: nga studioja, ndriçimi e deri te kamerat. Shtëpia është katër herë më e madhe dhe numri i kamerave që vëzhgojnë 24 orë është shumëfishuar. Jam shumë i lumtur që producentja Holta Dulaku ma ka bërë punën si “autostradë” që nga fillimi, duke më lejuar të jap maksimumin. .”
Regjisori zbuloi se do të dominojë fusha e artit në përzgjedhjen e konkurrentëve:
“Janë emra shumë të mirë që publiku i njeh, por nuk i ka parë kurrë në dimensionin e vëzhgimit 24 orë.” Ai shtoi se “99% e tyre hyjnë për herë të parë në një reality show”, duke premtuar surpriza dhe dinamika të reja.
Një nga risitë më të mëdha mbetet edhe transformimi i ambientit:
“Shtëpia nuk ngjan më me një fshat tradicional shqiptar, por me një fshat modern në Teksas apo Los Anxhelos,” tha Grishaj, ndërsa shtoi se “pellgu i rosave është zëvendësuar me një pishinë të madhe luksoze”.
Për sfidat dhe përmbajtjen e spektaklit, ai u shpreh:
“Filozofia e fermës do të jetë një miks: nga mbiellja e tokës dhe punët e stallës, deri te sfidat fizike. Ka konkurrentë shumë të fortë dhe të palestruar, por sfidat do t’u përshtaten të gjithëve.”
Teknologjia është një tjetër element kyç këtë sezon.
“Janë kamerat e fundit që përdoren edhe në finalet e botërorit. Me to mund të xhirohet edhe Champions League,” deklaroi ai, duke shtuar se “kam dashur të fus një frymë kinematografike në program”.
Për opinionistët, Grishaj zbuloi një kombinim interesant:
“Ermal Mamaqi do të sjellë humorin, Einxhel Shkira analizën e showbiz-it dhe Armina Mevlani eksperiencën e saj.” Ndërsa rolin drejtues: “‘Kryeplakja do të jetë Arbana nga studioja.”
Sa i përket përmasave të produksionit, ai dha shifra mbresëlënëse:
“Sezoni do të zgjasë 100 ditë, me transmetim 24 orë dhe dy spektakle në javë,” ndërsa në natën e parë “do të hyjnë rreth 24 fermerë”.
Sfida më e madhe për të si regjisor? “Realizimi i çdo detaji në kohë rekord,” tha ai, duke zbuluar edhe prapaskenat: “Mbrëmë kemi qenë deri në orën 3 të mëngjesit në studio.”
Ndërsa për natën e parë, pritshmëritë janë maksimale:
“Do të drejtoj 158 kamera nga kabina e pilotimit bashkë me skuadrën time. Do të kemi katër regji në koordinim,” tha Grishaj, duke shtuar me humor: “Shpresojmë që edhe koha të na favorizojë… urojmë që në orën 9:00 të ketë një pauzë sa të fusim banorët brenda.”