Matt Brittin, ish-drejtues i Google, është konfirmuar si drejtori i ri i përgjithshëm i BBC-së.
Ish-presidenti i operacioneve të Google për Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën do të zëvendësojë Tim Davey, i cili dha dorëheqjen në nëntorin e kaluar pas stuhisë së reagimeve të shkaktuara nga një fjalim i presidentit amerikan Donald Trump dhe nga mënyra se si ai u trajtua nga mediat britanike.Kryetari i BBC-së, Samir Shah, tha se Brittin, i cili u largua nga Google në vitin 2025 pas 18 vitesh, “sjell në BBC një përvojë të thellë në drejtimin e një organizate me profil të lartë dhe shumë komplekse”.
Brittin, 57 vjeç, vuri në dukje se “pret me padurim të fillojë këtë detyrë të re”, duke e përshkruar atë si “një moment me rrezik të vërtetë, por edhe me mundësi të vërteta”.
Ai shtoi më tej: “Tani më shumë se kurrë, kemi nevojë për një BBC të fuqishme që punon për të gjithë në një botë komplekse, të pasigurt dhe që ndryshon me shpejtësi. Në formën e saj më të mirë, ajo na tregon neve dhe botës se kush jemi.”
“Është një pasuri e jashtëzakonshme, unikisht britanike, me mbi 100 vite inovacion në rrëfim, teknologji dhe në promovimin e kreativitetit. Jam i entuziazmuar dhe i nderuar që më është besuar roli i Drejtorit të Përgjithshëm të BBC-së.”
“BBC ka nevojë për ritmin dhe energjinë e duhur për të qenë aty ku ndodhen lajmet dhe ku ndodhet publiku, për të forcuar shtrirjen e saj, besimin që gëzon sot dhe pikat e saj të forta krijuese, për t’u përballur me sfidat me guxim dhe për të lulëzuar si një shërbim publik i përshtatshëm për të ardhmen.”Kush është Matt Brittin?
I lindur në Walton-on-Thames, në Surrey, Brittin u diplomua në Universitetin e Cambridge, duke u angazhuar njëkohësisht në kanotazh në nivel garues. Ai gjithashtu përfaqësoi Britaninë e Madhe, duke fituar një medalje bronzi në Kampionatet Botërore të Kanotazhit në vitin 1989.
Pas largimit nga Cambridge, Brittin përfundoi një master në London Business School dhe më pas u bë drejtor komercial si dhe drejtor i strategjisë dhe shërbimeve digjitale në Trinity Mirror.
Ai iu bashkua Google në vitin 2007; dy vjet më vonë mori rolin e drejtorit të operacioneve në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vitin 2011 u promovua në zëvendëspresident për Evropën veriore dhe qendrore.
Në vitin 2014 u bë president i Google për Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën.Pas largimit nga Google vitin e kaluar, ai mori atë që e quajti “një pushim të shkurtër”.
Duke folur për kohën e lirë, ai tha në LinkedIn: “Tashmë kam lënë mjekër, kam blerë një varkë për ski në ujë dhe kam ndërmend t’i mësoj djalit tim zhytjen nënujore kur të bëhet instruktor i kualifikuar”.
Vitin e kaluar ai u bë gjithashtu anëtar jo-ekzekutiv i bordit të Guardian Media Group.
Në janar 2026, iu dha titulli CBE (Komandant i Urdhrit të Perandorisë Britanike) në kuadër të nderimeve mbretërore të Vitit të Ri për kontributin e tij në teknologji dhe aftësitë digjitale.
Sa i përket marrëdhënies së tij me televizionin, vitin e kaluar ai deklaroi në Royal Television Society:
“Përvoja ime me televizionin dhe ajo që kam mësuar prej tij dhe vlerave të tij më kanë formuar më shumë se shumë gjëra të tjera në jetën time.”/Lajmi i Fundit